Me ftesë të Presidencës daneze me Këshillin e BE-së, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtazani, nesër në Bruksel do të marrë pjesë në takimin e Këshillit për çështje të përgjithshme të Bashkimit Evropian (KÇP-së), i cili do t’i kushtohet sundimit të ligjit. Kjo është pjesëmarrja e dytë e ministrave nga vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, së bashku me vendet anëtare, për të qenë pjesë formale e KÇP-së në të cilin do të diskutohet për Raportin e sivjetshëm të Komisionit Evropian për sundimin e ligjit.
Në këtë kontekst, është paraparë që të flitet për gjendjen në katër fushat e përfshira me Raportin e KE-së për sundimin e ligjit për vitin 2025: sistemin gjyqësor, anti-korrupsionin, pluralizmin mediatik dhe lirinë e mediave, si dhe për çështje të tjera institucionale të lidhura me mekanizmat kontrollues.