Një djalë 14-vjeçar me emrin Paolo i mori jetën vetes në dhomën e tij një ditë para se të rifillonte shkolla në Itali.
Autoritetet kanë nisur hetim për nxitje për vetëvrasje, ndërsa Ministria e Arsimit ka urdhëruar inspektime në dy shkolla që ai ka ndjekur. Ngacmimet e vazhdueshme nga bashkëmoshatarët dyshohet të jenë shkaku i tragjedisë.
Paolo ishte përballur me ngacmime të përsëritura që nga shkolla fillore. Ai quhej “Paoletta” dhe “Nino D’Angelo” për shkak të pamjes së tij – flokë të gjatë bjonde – dhe ishte shpeshherë i izoluar nga të tjerët. Në një rast, një bashkëmoshatar kishte sjellë edhe thikë në klasë, por incidenti u minimizua dhe ankesat e familjes u injoruan.
Prokuroria e Cassinos ka hapur një çështje për nxitje për vetëvrasje, ndërsa Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, ka kontaktuar personalisht babain e Paolo-s dhe ka nisur inspektime në shkollën fillore dhe atë të mesme ku djali kishte studiuar.
Këngëtari napolitan Nino D’Angelo, emri i të cilit u përdor për ta tallur Paolo-n, reagoi në rrjetet sociale:
“Na fal Paolo, nëse nuk ishim aty për ty. Më vjen keq që të thirrën me emrin tim.”
Vëllai i Paolo-s, Ivan, përmes një letre drejtuar institucioneve, kërkon drejtësi për vëllain e tij dhe denoncon mungesën e ndërhyrjes, pavarësisht raportimeve të shumta të mëparshme. Familja thekson se ngacmimi është një plagë serioze që, kur neglizhohet, mund të marrë jetë