Monedha europiane ka prekur një minimum të ri historik në tregun valutor shqiptar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 1 euro këmbehet tashmë për 96.91 lekë, duke vazhduar trendin rënës që ka dominuar muajt e fundit.
Kjo rënie, e cila ka qenë veçanërisht e theksuar në fillim të kësaj jave, është një pasojë e drejtpërdrejtë e një sërë faktorësh. Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, shpjegon se arsyeja kryesore është fluksi i lartë i euros i sjellë nga sezoni turistik.
“Jemi në fund të një periudhe turistike intensive qershor-korrik-gusht, ku disponibiliteti i euros ka qenë i madh. Kjo masë monetare në euro vazhdon ta shtojë presionin karshi kursit të këmbimit dhe forcimit të lekut,” theksoi Civici.
Sipas tij, kjo rënie nuk është thjesht një luhatje e përkohshme, por një shenjë e hyrjes së tregut në një “ekuilibër të ri”. Civici sugjeron se nuk duhet pritur që euro të rikthehet në nivelet e viteve të kaluara.
Ndërkohë, kjo situatë favorizon disa grupe. Importuesit përfitojnë nga blerja e mallrave me çmim më të ulët, ndërsa ata që kanë kredi në euro e kanë më të lehtë t’i shlyejnë ato, pasi të ardhurat e tyre janë në lekë.