Papa Lav sot i dënoi si “të papranueshme” kushtet me të cilat përballen palestinezët në Gaza, duke shprehur solidaritet me civilët dhe duke përsëritur thirrjet për armëpushim në luftën mes Izraelit dhe Hamasit.
“Shpreh afërsinë time të thellë me popullin palestinez në Gaza, i cili vazhdon të jetojë me frikë dhe të mbijetojë në kushte të papranueshme, i detyruar sërish të lërë tokën e vet”, tha Papa gjatë audiencës së tij të përgjithshme të së dielës në Vatikan.
Izraeli nisi një ofensivë të madhe tokësore kundër Gazës të martën, duke detyruar qindra mijëra njerëz të braktisin shtëpitë për shkak të asaj që banorët e përshkruan si bombardimin më të rëndë në dy vitet e fundit të luftës.
Papa përsëriti thirrjen për armëpushim, lirimin e pengjeve në Gaza dhe një zgjidhje diplomatike përmes negociatave të konfliktit. Ai u bëri thirrje besimtarëve t’i bashkohen në lutje “që të agojë së shpejti agimi i paqes dhe i drejtësisë”.
Lav, i zgjedhur në maj si Papa i parë amerikan, ka shtuar thirrjet e tij për ndaljen e luftës në Gaza gjatë javëve të fundit.
Më herët këtë muaj, Papa u takua me presidentin izraelit Isaac Herzog në Vatikan. Në një deklaratë të pazakontë të gjatë pas takimit, Vatikani njoftoi se ai i kishte shprehur keqardhjen Herzogut për “situatën tragjike në Gaza”.
Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi sot se, që nga fillimi i ofensivës së madhe tokësore me synim shkatërrimin e Hamasit, ka goditur mbi 150 objektiva në të gjithë qytetin e Gazës.
“Gjatë dy ditëve të fundit, forcat ajrore dhe artileria kanë sulmuar mbi 150 objektiva terroriste në të gjithë qytetin e Gazës, në mbështetje të trupave që veprojnë në zonë”, thuhet në njoftimin e ushtrisë izraelite.