Pasi përshëndeti marrëveshjen për prosperitetin teknologjik të nënshkruar më herët nga të dy liderët, kryeministri britanik, Sir Keir Starmer ishte i pari që foli në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin amerikan, Donald Trump.
“E kemi rinovuar marrëdhënien e veçantë për një epokë të re”, tha ai dhe shtoi se “megjithatë, siguria mbetet shtylla kurrizore e kësaj marrëdhënieje të veçantë”.
“Kemi marrëdhënien më të thellë dhe më të avancuar të mbrojtjes në botë”, theksoi lideri britanik.
“Ushtarët tanë stërviten së bashku dhe luftojnë së bashku. Industrinë e ndërtojmë bashkë – nga aeroplanët luftarakë deri te nëndetëset e reja të klasit AUKUS. Prandaj, ndërsa rrisim shpenzimet për mbrojtjen, do t’i heqim barrierat për bashkëpunimin në teknologjitë e reja të mbrojtjes, që të mund të qëndrojmë përpara kundërshtarëve tanë”, pohoi 63-vjeçari.
Duke iu drejtuar Trumpit, ai përmendi 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së vitin e ardhshëm – me dy vendet që “kanë përshkuar një rrugë të gjatë” që nga ajo kohë.
Për çështjen e Ukrainës, Starmer tha se “po punojmë së bashku për t’i dhënë fund vrasjeve në Ukrainë”.
Sulmet e fundit të presidentit rus, Vladimir Putinit “nuk janë veprime të dikujt që kërkon paqe”, tha ai.
“Kështu që sot kemi diskutuar si të forcojmë mbrojtjen, të mbështesim më tej Ukrainën dhe të rrisim në mënyrë vendimtare presionin ndaj Putinit që ta detyrojmë të pranojë një marrëveshje paqeje që do të zgjasë”, shtoi ai “president Trump, ju keni udhëhequr rrugën në këtë drejtim – dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë dhe të punojmë së bashku për siguri dhe për paqe”.