Kasami në RTSH: Stadiumi i qytetit, rruga Tetovë – Prizren dhe Plani Gjeneral Urbanistik, prioritete në mandatin e ardhshëm

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, në një intervistë për RTSH, ka folur për vizionin e tij për mandatin e ardhshëm, duke theksuar se qyteti është në prag të një transformimi të madh.
Ai theksoi se prioritet në mandatin e tij të ri do të jetë miratimi i Planit Gjeneral Urbanistik, i cili do të hapë rrugën për investime serioze, projekte kapitale dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Kasami paralajmëroi edhe ndërtimin e stadiumit të qytetit, që do të jetë ndër më modernët në rajon, si dhe realizimin e projekteve kapitale që do të ndryshojnë rrënjësisht pamjen e komunës.
“Vizioni ynë është që në periudhën katër vjeçare Tetova të ketë stadium modern që ekipi ynë i zemrës Shkëndija, që është aset kombëtar, të luajë ndeshjet ndërkombëtare në atë stadium. Në bazë të kontratës me Ecolog, besojmë që brenda dy viteve stadiumi do të hap dyert për futbolldashësit”, tha Kasami.
Ai gjithashtu theksoi se edhe rruga Tetovë – Prizren do të jetë prioritet në mandatin e ri.
“Është ndër projektet që do ta zhvillojë rrafshin e Pollogut, pasi do ta afrojë edhe Shqipërinë veriore. Është projekt shumë i rëndësishëm për ne. Tashmë kemi nisur përpilimin e projektit, së shpejti do të shpallet tenderi ndërkombëtar, pasi është projekt i dy shteteve. Më pas do të vazhdojë edhe zbatimi i marrëveshjes për realizimin e kësaj rruge. Është segment shumë i rëndësishëm që përforcon pozitën ndërkombëtare të Tetovës dhe rrafshit të Pollogut”, tha Kasami.