Ministri Aliu dhe drejtoresha Andonovska vizituan pikën shëndetësore për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare – “Mos e humb ritmin, ec për një zemër të shëndetshme!”

Me rastin e shënimit të 29 Shtatorit – Ditës Botërore të Zemrës, sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me drejtoreshën e Institutit për Shëndet Publik, Marija Andonovska, vizituan pikën shëndetësore parandaluese në Qendrën tregtare “Diamond Mall”.
“Qytetarët treguan interes të madh për matje falas të tensionit të gjakut, nivelit të kolesterolit dhe sheqerit në gjak në këtë pikë parandaluese. Shërbimet shëndetësore në këtë pikë po i kryen një ekip nga Instituti për Shëndet Publik. Me këto aksione, së bashku e rrisim ndërgjegjësimin për zbulimin në kohë dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Gjithashtu, të pranishmit morën këshilla individuale dhe rekomandime për një ushqim të shëndetshëm dhe të balancuar, aktivitet fizik të rregullt, si dhe mbështetje dhe motivim për lënien e duhanit – tre faktorë kyç për mbrojtjen e shëndetit të zemrës,” – deklaroi ministri Aliu.
Drejtoresha e Institutit për Shëndet Publik, Dr. Marija Andonovska, theksoi rëndësinë e parandalimit parësor dhe qasjes aktive ndaj shëndetit personal.
“Dita Botërore e Zemrës është një mundësi për të kujtuar se një zemër e shëndetshme do të thotë edhe një jetë cilësore. Instituti për Shëndet Publik do të vazhdojë me aktivitete të orientuara drejt përmirësimit të shëndetit të qytetarëve dhe mbështetjes së zakoneve të shëndetshme të jetesës.”, – deklaroi Dr. Andonovska.