Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është nderuar sot me titullin prestigjioz “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës (UET).
Në një ceremoni solemne, ku morën pjesë figura të njohura nga bota akademike, politike dhe shoqëria civile, Ahmeti e cilësoi këtë çmim si një nderim jo vetëm personal, por edhe kolektiv për të gjithë ata që kanë kontribuar në rrugën e gjatë të shqiptarëve drejt barazisë, paqes dhe integrimit euroatlantik.
“Ky vlerësim lidhet ngushtë me rrugëtimin tonë të përbashkët për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërtimin e paqes dhe përparimin drejt integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Ky çmim nuk është vetëm për mua, por për të gjithë ju – për çdo sakrificë, çdo përpjekje dhe çdo hap që kemi bërë së bashku,” – tha Ahmeti në fjalimin e tij.
Ai shprehu mirënjohje ndaj Universitetit Europian të Tiranës për këtë vlerësim dhe theksoi përkushtimin e tij për të vazhduar misionin në shërbim të çështjes kombëtare dhe të ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut./TS