Kandidati për Komunën e Zhelinës nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Emir Sulejmani, ka nisur fushatën me një mesazh të fuqishëm nga Leshnica e Poshtme, duke denoncuar keqmenaxhimin dhe arrogancën e pushtetit aktual lokal gjatë tetë viteve të fundit.

Sulejmani thotë se e vërteta ka ardhur koha të thuhet pa frikë, ndërsa shpalosi akuza të rënda për abuzim me fondet publike, mungesë transparence dhe braktisje të plotë të fshatrave nga udhëheqësia aktuale.

“Sot nuk flas thjesht si kandidat për Komunën e Zhelinës, por si zëri i banorëve të zhgënjyer, të fyer dhe të mashtruar për tetë vite me radhë nga një pushtet i paaftë dhe arrogant,” – deklaroi ai.

Ai theksoi se banorët e Leshnicës janë detyruar të paguajnë mijëra euro nga xhepat e tyre për ndërtimin e kanalizimit, një shërbim që duhet të ishte ofruar falas nga komuna. Sipas tij, mungesa e transparencës për këto fonde është skandal që kërkon hetim urgjent nga Policia Financiare dhe Prokuroria.

“Kjo është abuzim financiar dhe shkelje e rëndë e detyrës zyrtare!”

Sulejmani kritikoi edhe ndërmarrjen publike për pastrim, që sipas tij inkason para nga qytetarët por nuk ofron asnjë shërbim real, ndërsa fshatrat janë të mbuluara nga mbeturinat dhe rrugët në gjendje të mjerueshme.

Zotimet kryesore të programit të tij për Zhelinën përfshijnë:

✔️ Kanalizim pa asnjë pagesë shtesë për qytetarët

✔️ Kthim i parave të vjedhura nga pushteti aktual

✔️ Transparencë të plotë për çdo denar publik

✔️ Reformim të ndërmarrjes publike në shërbim të qytetarëve

✔️ Prani të përhershme në çdo fshat dhe lagje, jo vetëm gjatë zgjedhjeve

“Me 19 tetor, qytetarët kanë një mundësi historike për ta ndalur këtë mashtrim 8-vjeçar. Mos votoni për ata që ju përçmojnë dhe ju kujtohen vetëm kur kanë nevojë për ju. Votoni për dinjitetin tuaj, për të ardhmen dhe për ndryshim të vërtetë!” – përfundoi Emir Sulejmani./TS

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com