Në prag të zgjedhjeve lokale në Strugë, kandidati i pavarur i mbështetur nga VLEN, Mendi Qyra, është përballë akuzave të rënda publike nga mjeku strugan Artan Dika, i cili ka publikuar dëshmi të shumta mbi atë që e quan mashtrim financiar dhe mosmbajtje premtimesh.
Në një postim në profilin e tij personal në Facebook, Dika shkroi:
“Në këtë vend, në të shumtën e rasteve, kur një biznesmen është bërë kryetar komune, ai nuk i ka investuar paratë e tij për ta zhvilluar komunën, përkundrazi, e ka përdorur komunën për ta shtuar dhe zgjeruar pasurinë e tij.”
Me këtë deklaratë, mjeku strugan paralajmëroi një denoncim publik ndaj Qyrës, duke e lidhur atë me përvoja personale dhe dosje të dokumentuara mashtrimi.
Dy banesat që nuk u ndërtuan kurrë
Sipas Dikas, në vitin 2021 ai kishte nënshkruar një kontratë me kompaninë e Mendi Qyrës për blerjen e dy banesave në lagjen Taftalixhe të Shkupit, të cilat nuk u ndërtuan asnjëherë.
“Megjithë premtimin se do ta paguajë kompensimin e dëmit financiar si pasojë e mashtrimit, deri tani ai nuk e ka bërë këtë. Premtimet e rrejshme dhe zvarritjet pafund e kanë bërë të pamundur zgjidhjen e rastit,” – shkruan Dika.
Ai shtoi se për shkak të premtimeve të pambajtura dhe tentativave për ta shtyrë çështjen me bisedime boshe, së fundi i ka bllokuar numrin e telefonit Qyrës, deri në shlyerjen e dëmit të shkaktuar.
Akuza për borxh 45 mijë euro ndaj një kompanie nga Tetova
Vetëm një ditë pas denoncimit të parë, Dika publikoi edhe një dëshmi të re, këtë herë nga një biznesmen nga Tetova, pronar i kompanisë “Blearti Group” në Çellopek. Ky i fundit, përmes një mesazhi të bërë publik me pëlqimin e tij, pohon se Qyra tash e shtatë vite nuk ia ka paguar borxhin prej 45.000 eurosh për shërbime të kryera në një ndërtesë të ndërtuar në lagjen Taftalixhe të Shkupit nga kompania “Trim”.
Në mesazh, i cili shoqërohej me fshirjen e një fjale ofenduese me ngjyrë të kuqe, biznesmeni e akuzon kandidatin se nuk ka përmbushur obligimet financiare të marra.
Dika: “A kështu do t’i mbani premtimet?”
Dika u bëri thirrje gazetarëve që në këtë periudhë zgjedhore t’i parashtrojnë Qyrës të njëjtën pyetje që i drejton edhe ai publikisht:
“A kështu do t’i mbani premtimet e dhëna gojarisht në zgjedhje, si premtimin e dhënë me shkrim?!”
Mjeku paralajmëroi gjithashtu se do të publikojë dokumentacionin e plotë të rastit në ditët në vazhdim.