Zhurnal pyet:: A ka fakte konkrete Adnan Azizi për këto akuza të rënda ndaj Ali Ahmetit si “vrasës”!?

Shkup, 2 tetor – Pak ditë më parë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cilësoi udhëheqësit e koalicionit VLEN si “zagarë”. Një fjalor i tillë i ulët politik u prit me një valë kritikash jo vetëm nga vetë VLEN-i, por edhe nga shoqëria civile, e cila me të drejtë kërkoi që gjuha e urrejtjes të largohet nga komunikimi publik. Për shumëkënd, kjo deklaratë e Ahmetit u pa si shenjë e mungesës së argumenteve politike dhe si dëshmi e arrogancës së një pushteti të gjatë. Por, çfarë bëri VLEN në vend se ta merr mësimin nga ky gabim, u zhyt edhe më thellë edhe më rëndë edhe më keq. Sepse nga kritikues u shndërruan në kopjues amater që prodhuan indinjatë dhe zhgënjim, shkruan Zhurnal.mk
VLEN ra në gropën që e hapi vetë –
Të gjithë u ndien të fyer e të nënçmuar nga ofendimi që ia bëri Ahmeti ku i quajti “zagar” me koordinim të plotë njëzëri e sulmuan dhe dënuan ashpër këtë fjalor. Por, vetëm dy ditë më vonë, rolet sikur u ndërruan. Në një tubim promovues shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor të VLEN-it, Adnan Azizi, përdori të njëjtin term “zagar” kësaj radhe për ta etiketuar Ali Ahmetin. Madje, ai shkoi edhe më tej, duke e akuzuar liderin e BDI-së si “vrasës” dhe duke thënë:
“Ali Ahmeti nuk është gjë tjetër veçse një zagar, i cili për 20 vite ka shërbyer interesave të veta dhe të pushtetit. Ky njeri është përgjegjës për shumë vrasje e për gjakderdhje ndër shqiptarë.” Duke radhitur edhe emra e mbiemra të cilët Azizi pretendon që Ahmeti i ka vrarë.
Një fjalim i tillë, që në vend të vizionit politik sjell akuza për krime të rënda, ngre disa pyetje të rëndësishme. Por edhe krijon konfuzion dhe ngjallë ndjenja trishtuese tek familjarët e personave të apostrofuar në tubim partiak.
Nëse Ali Ahmeti me të vërtetë është “vrasës”, siç e akuzon Adnan Azizi, pse ai gëzon lirinë dhe mban poste publike prej dekadash?
A ka fakte konkrete Azizi për këto akuza të rënda?
A nuk është e domosdoshme që prokuroria të thërrasë Azizin dhe ta pyesë mbi bazën e këtyre pretendimeve, nëse ato janë të qëndrueshme apo thjesht një retorikë për të ndezur turmat?
Opozita shpesh ka ngritur flamurin e moralit politik, duke kritikuar pushtetin për korrupsion, për abuzime dhe për gjuhë të papërshtatshme. Por në këtë rast, VLEN nga pushteti e kritikues të Ali Ahmetit u shndërruan në kopjues të tij, duke përdorur të njëjtin fjalor që vetëm dy ditë më parë e kishin dënuar. Në vend që të ngrihen mbi standardin e kundërshtarit, ata ranë në të njëjtën grackë.
Ky vetë-kundërshtim i bën dëm jo vetëm atyre, por gjithë hapësirës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Votuesit presin ide, programe, argumente dhe vizion, jo sharje me “zagarë” e akuza për “vrasës” pa prova.
Në fund të fundit, fjalimi i Adnan Azizit nuk solli frymëzim, por krijoi dëshpërim dhe zhgënjim si tek mbështetësit që presin alternativë të shëndoshë, ashtu edhe tek qytetarët e lodhur nga politika e ofendimeve. Prandaj, VLEN-i, me plotëkuptimin e fjalës ra në gropën që ia kishte hapur Ahmetit, u zhytën rëndë e keq. /Zhurnal.mk