Struga ka dhënë një mesazh të qartë dhe të fuqishëm: qytetarët e saj janë në anën e dinjitetit, përfaqësimit të vërtetë dhe interesit kombëtar. Këtë e ka bërë të ditur lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ku ka theksuar mbështetjen e madhe që qytetarët i kanë dhënë Aleancës Kombëtare për Integrim, kandidatit për kryetar komune Dr. Arsim Dalipi, dhe listës për këshilltarë të kryesuar nga Faton Pollozhani, njofton TS.
Sipas Selës, pjesëmarrja masive në referendumin kombëtar është një dëshmi se qytetarët e Strugës refuzojnë manipulimet dhe eksperimentet politike të kësaj qeverie monoetnike, e cila sipas tij, po tenton të çorientojë opinionin publik përmes kandidaturave të pavarura të kontrolluara nga pushteti.
“Fitorja në Strugë nuk është vetëm një fitore lokale – është fitore për të gjithë shqiptarët. Fitore ndaj tiranisë dhe represionit. Fitore ndaj manipulimeve që po bëhen në Strugë përmes listave të rreme dhe të porositura,” – thekson Sela.
Ai shton se Struga nuk do të bëhet pjesë e pazareve politike, por do të mbetet simbol i rezistencës dhe unitetit shqiptar.
Sipas tij, mbështetja për Aleancën Kombëtare për Integrim është një tregues i qartë se qytetarët duan ndryshim të vërtetë dhe përfaqësim dinjitoz.
#BashkëPërStrugën – thirrja që po bashkon qytetarët në një kauzë të përbashkët për Strugën dhe për të ardhmen e shqiptarëve në këtë komunë./TS