Kandidati për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka prezantuar një nga projektet më ambicioze të programit të tij: modernizimi i Kodrës së Diellit në një resort turistik 4-stinor, që synon ta shndërrojë Tetovën në një qendër turizmi për të gjithë Ballkanin.

Sipas planit të prezantuar, projekti do të realizohet në partneritet me operatorë ndërkombëtarë me përvojë, dhe do të përfshijë:

Ndërtimin e një teleferiku me kapacitet të lartë për transport efikas të turistëve;

Parkingje me kate dhe zgjerim të parkingjeve ekzistuese në hyrje të resortit;

Ndërtimin e tre rrugëve të reja hyrëse, për të përmirësuar qasjen në zonën turistike;

Lëshimin e lejeve për mbi 20 hotele të reja, si dhe rinovimin e kapaciteteve ekzistuese hotelierike.

“Kodra e Diellit është pasuria më e madhe natyrore e Tetovës dhe meriton zhvillim serioz e të qëndrueshëm. Ky projekt do të krijojë vende të reja pune, do të sjellë investime dhe do të përmirësojë imazhin e qytetit në arenën ndërkombëtare,” u shpreh Rexhepi, njofton TS.

Ai shtoi se çdo euro e investuar në Kodrën e Diellit do të kthehet shumëfish në ekonominë e Tetovës, duke gjeneruar përfitime për qytetin, rajonin dhe shtetin në tërësi.

Ky projekt konsiderohet një shtysë e fortë për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e turizmit dhe rritjen e atraktivitetit të Tetovës si një qytet evropian në zemër të Ballkanit./TS

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com