Urim Saliu – Tetovasot

Duan ta dërgojnë në pension, por Ali Ahmeti duket se është larg fundit politik. Sërish i vetëm në një tjetër betejë me VMRO-DPMNE dhe kryeministrin Hristijan Mickovski, kreu i BDI-së vijon të jetë figura më e diskutuar e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Çdo ditë mes tyre shkëmbehen akuza e kundërakuza, ndërsa zgjedhjet lokale kanë marrë peshën e një beteje të madhe politike.
Erdhi përmes revolucionit, në një kohë kur shqiptarët kishin neveri ndaj pushteteve të dhunës mbi ta. Nga ilegaliteti, Ali Ahmeti u shfaq si drejtues i Ushtrisë Çlirimtare shqiptare në Maqedoni, duke u veshur me uniformë dhe duke sjellë guximin që të tjerët nuk e patën për t’iu kundërvënë shtetit që njihte vetëm persekutimin. Aty nisi edhe rrëfimi i një lideri që do të shndërrohej në figurë kult, hero i masës dhe udhëheqës i një partie që edhe sot, pas më shumë se 20 vitesh, mbetet në qendër të politikës.
Në vitin 2001 nuk kishte shqiptar që të mos e njihte apo të mos e ndiqte. Me kalimin e kohës, edhe pse një pjesë u shkëputën prej tij, Ahmeti arriti të krijojë një idhull politik që dominoi jo vetëm zgjedhje pas zgjedhjesh, por edhe narrativën e politikës shqiptare në vend. Ai nuk mbijetoi, por dominoi.
Bashkëqeverisja me VMRO-në ishte periudha më e rëndë e karrierës së tij politike. U desh të paguante çmimin e kompromisit dhe nënshtrimit, duke humbur gjysmën e votuesve dhe një pjesë të lavdisë. Por më pas, me transformimin e BDI-së nga parti etnike në subjekt qytetar, ai arriti t’i rikthejë radhët e humbura dhe të ringjallej si faktor vendimtar.
Kundërshtarët e kanë shpallur të mposhtur shumë herë. Madje e kanë etiketuar me fyerje nga më të ulëtat. Por Ahmeti ka ditur të ruajë qetësinë, të shmangë fjalorin banal dhe të flasë me një thjeshtësi që pushton masën. Para çdo cikli zgjedhor del e bën thirrje për qetësi e unitet, për ta mbyllur gjithmonë me një frazë të prerë: “BDI do të fitojë.” Dhe sërish fiton.
Sot, në dekadën e tretë të politikës, Ali Ahmeti mbetet një enigmë për kundërshtarët e tij. Ai nuk është më idealisti i uniformës së luftës, por as politikani i konsumuar që presin ta shohin. Sulmet vijnë nga jashtë dhe nga brenda partisë që ai vetë ngriti, por ai vazhdon të jetë i pranishëm dhe i pathyeshëm.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com