Bujar Osmani: Mjaft më me mashtrime dhe pasiguri – qytetarët e Çairit nuk do të jenë më viktima të mafias urbane!

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, ka dalë me një deklaratë të fuqishme lidhur me krizën urbane në Komunën e Çairit, ku për vite me radhë qytetarët janë lënë në mëshirën e mafias së ndërtimit dhe neglizhencës institucionale.
“Qytetarët janë viktima, jo fajtorë!” – theksoi Osmani, duke i cilësuar situatat e shumta me ndërtime të paqëndrueshme, mashtrime financiare, mungesë dokumentacioni dhe pasiguri banimi, si pasojë direkte e keqmenaxhimit dhe korrupsionit të strukturave lokale.
“Kjo duhet të ndalet!” – u shpreh me vendosmëri Osmani, i cili paralajmëroi masa konkrete:
✅ Formimin e një Shtabi të Krizës, që do të hartëzojë dhe inspektojë menjëherë të gjitha ndërtimet pa leje në territorin e komunës,
✅ Legalizim të ndërtimeve të qëndrueshme, duke garantuar dokumentacion të plotë dhe siguri ligjore për banorët,
✅ Përgjegjësi penale për çdo leje të dhënë në mënyrë të jashtëligjshme, që do të përfundojë në Prokurorinë Publike.
“Çairi meriton rend, drejtësi dhe siguri. Nuk do të ketë më vend për kaos urban e pazare mafioze mbi kurrizin e qytetarëve,” tha Osmani.
Me këtë nismë, Bujar Osmani vendos theksin në rikthimin e besimit qytetar, barazinë para ligjit dhe ndërtimin e një Çairi të rregullt, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë.
“Është koha t’i japim fund mafias urbane,” përfundoi ai./TS