Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Zhelinës, Emir Sulejmani,bashkë me deputeten Ilire Dauti ka zhvilluar një takim me të rinjtë e fshatit Strimnicë, ku ka dëgjuar nga afër idetë, shqetësimet dhe pritjet e tyre për të ardhmen e komunës informon Tetovasot.
Në një atmosferë miqësore e bashkëbiseduese, të rinjtë e Strimnicës shprehën nevojën për më shumë mundësi punësimi, investime në infrastrukturë dhe përfshirje më të madhe të rinisë në jetën publike.
“Strimnica është fshati që nuk pranon menaxhim të keq. Njerëzit këtu duan punë të bëra mirë, jo premtime bosh,” theksoi Sulejmani gjatë takimit, duke shtuar se ky është vetëm fillimi i një serie takimesh me qytetarët e komunës.
Ai shprehu bindjen se rinia është forca më e madhe e ndryshimit dhe se bashkë me ta, Zhelina mund të ndërtojë një model të ri të zhvillimit lokal, të bazuar në punë konkrete dhe transparencë.
“Ky takim ishte vetëm fillimi,” – u shpreh kandidati i AKI-së, duke paralajmëruar se në ditët në vijim do të vazhdojë vizitat në të gjitha vendbanimet e komunës për të dëgjuar çdo zë dhe çdo ide që mund ta çojë Zhelinën përpara.