Blerim Bexheti, reagon pas atentatit ndaj Dr. Zekirija Shahinit: Dhuna është sulm ndaj dinjitetit njerëzor

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Blerim Bexheti, ka reaguar me shqetësim të thellë pas sulmit të armatosur ndaj Dr. Zekirija Shahinit, kandidat për këshilltar në komunën e Likovës dhe mjek në Qendrën Klinike Universitare të Shkupit.
Përmes një reagimi publik, Bexheti dënoi ashpër aktin e dhunës dhe e cilësoi atë si një goditje të rëndë ndaj vlerave njerëzore dhe shoqërore:
“Jemi thellësisht të tronditur nga ajo që ndodhi sot në Likovë. Dhuna, pavarësisht kujt i drejtohet, është sulm ndaj dinjitetit njerëzor dhe ndaj vetë shoqërisë sonë.”
Deputeti konfirmoi se gjendja shëndetësore e Dr. Shahinit është jashtë rrezikut për jetën dhe se ai po merr kujdesin e duhur mjekësor, njofton TS
Në reagimin e tij, Bexheti u bëri thirrje institucioneve për veprim të menjëhershëm dhe transparent:
“U bëjmë thirrje institucioneve të reagojnë me shpejtësi, transparencë dhe vendosmëri për të zbardhur këtë rast dhe për të siguruar drejtësi.”
Në fund, ai i uroi shërim të shpejtë kolegut të tij:
“Shërim të shpejtë, Zekerija!”
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta politike dhe qytetare, ndërsa pritet që autoritetet të japin informacione zyrtare lidhur me ecurinë e hetimeve.