Shkup, 09 Tetor 2025 — Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga
koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, prezantoi sot shtyllën e tretë të
programit të tij zgjedhor, të fokusuar në rilindjen e Çarshisë së Vjetër
të Shkupit dhe zhvillimin e turizmit si motor ekonomik të komunës.
Në prezantim, Mexhiti theksoi se Çarshia e Vjetër është shumë më tepër
se një kompleks tregtar, ajo është “historia e gjallë e Shkupit, shpirti
i qytetit dhe zemra e Çairit”. Ai nënvizoi se objektivi i tij është ta
shndërrojë këtë hapësirë të trashëgimisë kulturore në një qendër moderne
evropiane të turizmit dhe kulturës, me projekte konkrete dhe financim të
siguruar.
“Çarshia nuk është vetëm një grumbull rrugësh dhe dyqanesh. Ajo është
historia jonë e gjallë, shpirti i Shkupit dhe zemra e Komunës së Çairit.
Është detyra jonë jo vetëm ta ruajmë këtë perlë të paçmuar, por edhe ta
ngrisim në nivelin e një atraksioni turistik evropian të rangut të
lartë, të njohur në tërë rajonin. Vizioni ynë është që Çarshia të bëhet
një qendër prosperuese e kulturës, turizmit dhe ekonomisë.,” – deklaroi
Mexhiti.
Programi i Izet Mexhitit për rilindjen e Çarshisë së Vjetër përfshin
pesë hapa kryesore zhvillimi:
1. Investime kapitale për rikthimin e shkëlqimit autentik
-Restaurime të kalldrëmeve: Konservim i plotë i rrugëve “Saraçka”,
“Papuxhiska”, “Petar Mihov”, “Samarxhiska” dhe një pjesë e “Kovaçka”.
Projekti është miratuar nga Qeveria dhe realizohet në vitin 2025.
-Rinovim të fasadave: Vazhdojmë me rinovimin e fasadave të të gjitha
dyqaneve të mbetura, duke ruajtur pamjen autentike dhe duke e shndërruar
Çarshinë në një atraksion të vërtetë evropian.
-Ndriçim modern rrugor: Investojmë në një rrjet të ri ndriçimi për të
rritur sigurinë dhe për të theksuar bukurinë e Çarshisë gjatë orëve të
mbrëmjes.
2. Transformimi digjital për turizëm modern
-Tabela informative të mençura: Vendosim tabela interaktive në pikat
kyçe – Sheshi Skënderbeu, Çarshia e Vjetër, Bit Pazar. Ato do të ofrojnë
informata në kohë reale dhe Wi-Fi falas për të gjithë vizitorët.
-“Çarshia Digjitale”: Krijojmë muze virtual dhe aplikacion mobil që do
të shërbejë si guidë moderne digjitale me harta interaktive dhe të dhëna
historike për çdo objekt.
3. Standarde evropiane për çdo vizitor
-Ndërtim i tualeteve publike moderne, të pastra dhe lehtësisht të
qasshme. Ato do të jenë të përshtatura për persona me aftësi të
kufizuara dhe do të mirëmbahen çdo ditë, duke siguruar kushte dinjitoze
për të gjithë.
4. Mbrojtja e perlave të Çarshisë
-Restaurim i plotë dhe promovim ndërkombëtar të objekteve historike:
Kurshumli An, Kapan An, Suli hani , Çifte Hamam, Hamamin e Daut Pashës,
Shengjyl Hamami dhe Bezisteni.
Si “kurorë e rilindjes”, Mexhiti paralajmëroi ndërtimin e një parkingu
nëntokësor me dy kate nën sheshin “Skënderbeu”, me investim prej 25
milionë eurosh tashmë të siguruara nga Qeveria. Projekti do të zgjidhë
problemin e qasjes urbane dhe do të shndërrojë hapësirën në një qendër
bashkëkohore që lidh historinë me të ardhmen.
“Projekt kapital që do t’i vë vulën kësaj rilindjeje është ndërtimi i
parkingut nëntokësor me dy kate nën sheshin “Skënderbeu” “. Investimi
prej 25 milionë eurove tashmë është siguruar nga Qeveria, furnizimi
është i hapur, pritet të zgjedhet ndërmarrja dhe maksimum për një muaj
të fillojë ndërtimi i parkingut nëntokësor për 800 vetura. Kjo do të
jetë një bërthamë moderne dhe simbol i Çairit, vend ku historia jonë e
pasur do të takohet me të ardhmen evropiane”, potencoi Mexhiti.
Në përfundim, Mexhiti theksoi se rilindja e Çarshisë së Vjetër është një
projekt identitar, ekonomik dhe kulturor, që do ta kthejë Çairin në
destinacion të turizmit rajonal.
“Çarshia e Vjetër është krenaria jonë, por ajo nuk duhet të jetojë vetëm
nga e kaluara. Ajo meriton një të ardhme të gjallë dhe të begatë.
Kjo programë nuk është një listë dëshirash. Ky është një plan konkret,
me mjete të siguruara dhe afate të qarta. Me përkushtim të plotë dhe në
partneritet me ju, qytetarët dhe esnafët, do ta ngremë Çarshinë në
simbol të identitetit tonë kulturor dhe në motor të zhvillimit ekonomik
dhe turizmit.” – deklaroi Mexhiti.