Aleanca Kombëtare për Integrim paraqitet sot para opinionit publik për të riafirmuar parimet dhe qëndrimet mbi të cilat qëndron si forcë politike shtetformuese, progresive dhe strategjikisht e orientuar drejt Perëndimit.
Ne nuk jemi krijuar për fushata, por për vizion.

Në këto zgjedhje, AKI hyn me vlera, me përgjegjësi dhe me një qëllim të qartë: ta rikthejë politikën në shërbim të shtetit dhe qytetarit dhe të vazhdojë rrugën e tij drejt Evropës.

Qëndrimi ynë i parë është i qartë dhe i palëkundur:
Marrëveshjet ndërkombëtare – si Marrëveshja e Ohrit, ajo e Prespës dhe marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë – janë themeli mbi të cilin qëndron stabiliteti i shtetit dhe rruga jonë drejt Bashkimit Europian.
Këto marrëveshje nuk janë letër që mund të griset nga interesat e ditës, por janë garanci për paqen, për shtetin unitar dhe bashkëjetesën tonë.

Ne e dimë se çdo tentim për t’i minuar ato është lojë me të ardhmen e vendit dhe me sigurinë e qytetarëve tanë.

Politika jonë është e qartë: zero konflikte me fqinjët, zero tensione etnike, dhe një orientim tërësisht euroatlantik që e mban Maqedoninë e Veriut në rrugën e sigurt të integrimit.

Në të njëjtën kohë, ne e themi hapur dhe pa ekuivok: barazia e shqiptarëve në këtë vend nuk është privilegj – është e drejtë kushtetuese dhe kombëtare.

Çdo formë nënçmimi, margjinalizimi apo diskriminimi ndaj shqiptarëve është një goditje ndaj vetë shtetit.
Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në institucionet e vendit që e kanë ndërtuar bashkë me të tjerët.
Kush përpiqet të ulë dinjitetin e shqiptarëve, përpiqet të minojë themelet e barazisë dhe stabilitetit.
Në këtë frymë, Aleanca Kombëtare për Integrim e sheh shtetin ligjor si boshtin e çdo demokracie funksionale.

Drejtësia nuk mund të jetë privilegj, por duhet të jetë një standard për të gjithë.
Ne kërkojmë veting të plotë. Kërkojmë poashtu hetim të plotë, të paanshëm dhe profesional për prejardhjen e pasurisë së çdo funksionari publik – pa përjashtim dhe pa selektime politike.
Po ashtu, kërkojmë hetim të partive politike në tri dekadat e fundit dhe për procesin kriminal të privatizimeve që shkatërruan ndërmarrje strategjike dhe dëmtuan interesin publik.
Ne besojmë se vetëm përmes një vettingu të vërtetë, që nuk njeh ngjyra partiake, mund të rikthehet besimi i qytetarëve në drejtësi.
Ky është vettingu që ndan të ndershmit nga të korruptuarit, shtetin nga bandat dhe politikën nga krimi – dhe ne këtë po e kërkojmë qe sa vite.

AKI do të qëndrojë në çdo institucion, në çdo komunë dhe në çdo qeveri si zëri i barazisë, jo i nënshtrimit.
Sepse shtet i drejtë nuk ka pa shqiptarë të barabartë.
Dhe demokraci funksionale nuk ka pa respekt të ndërsjellë mes popujve që e ndajnë këtë vend.

Në të njëjtën kohë, Aleanca Kombëtare për Integrim e sheh decentralizimin si themel të demokracisë funksionale.
Ne kërkojmë një decentralizim real, të bazuar në standardet europiane, ku komunat nuk janë varësi të qeverisë, por motorë të zhvillimit lokal dhe bashkëqeverisjes qytetare.
Decentralizimi nuk mund të mbetet një fjalë në dokumente, por duhet të jetë realitet që i jep fuqi komuniteteve dhe qytetarëve për të vendosur për fatin e tyre.
Vetëm përmes decentralizimit të vërtetë mund të arrihet zhvillim i balancuar rajonal dhe përfaqësim i drejtë i të gjithë qytetarëve.

Duke parë me vëmendje gjendjen e skenës politike, ne theksojmë se Aleanca Kombëtare për Integrim është sot e vetmja forcë shtetformuese që mban stabilitetin dhe seriozitetin politik në këtë vend.
Ndërsa të tjerët merren me spektakël, akuza dhe populizëm, AKI punon për progres, për ndërtimin e shtetit dhe për ecjen para të qytetarëve.

Ne nuk jemi parti e fjalëve, por e punës.
Ne nuk ndërtojmë propagandë, por politika që mbajnë vendin në këmbë.
Ne nuk kërkojmë pushtet për pushtet – ne kërkojmë përgjegjësi.
Pjesë e pandashme e këtij vizioni është orientimi ynë strategjik, i cili nuk njeh dilema: rruga e Maqedonisë së Veriut është dhe do të mbetet rrugë drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Çdo tentim për të devijuar këtë kurs, çdo flirtim me boshtet lindore, është rrezik për shtetin dhe për të ardhmen e brezave të rinj.

Aleanca Kombëtare për Integrim nuk është projekt elektoral që mbaron me zgjedhje.
Ajo është një vizion shtetëror që ndërton të ardhmen mbi parime, jo mbi pazare.
Ne nuk i shërbejmë pushtetit, por shtetit.
Nuk mbrojmë interesa partiake, por dinjitetin kombëtar dhe barazinë qytetare.
Rruga jonë është e qartë dhe e pandryshueshme:
Evropa, drejtësia, barazia dhe dinjiteti qytetar.
Këto nuk janë slogane, por qëllime për të cilat do të punojmë çdo ditë.
Aleanca Kombëtare për Integrim – për shtet funksional, të drejtë, unitar dhe europian.
Jo për premtime, por për parime.
Jo për pushtet, por për popullin.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com