Në tubimin qendror të Aleancës për Shqiptarët në Tearcë, në mbështetje të kandidatit për kryetar komune Nazim Taipi, kryetari i ASh-së Arben Taravari lëshoi akuza të forta ndaj kundërshtarëve politikë, duke kërkuar mobilizim të plotë më 19 tetor informon Tetovasot.
“Pse merrem me Adnan Azizin dhe jo me Izet Mexhitin e Bilall Kasamin? Sepse Adnani është shefi i tyre. Ata bëjnë vetëm atë që thotë ai,” tha Taravari, duke shtuar se Azizi “sot mburret se po merr Zhelinën, Tearcën e Bogovinën dhe thotë jozyrtarisht se është mbreti i Pollogut.”
Sipas kreut të ASh-së, “ky njeri nuk ka punuar asnjë ditë në jetë, por është milioner në Tetovë” duke e quajtur këtë si shembull të politikës që qytetarët duhet ta refuzojnë më 19 tetor.
“Tearca nuk e meriton që kundërkandidatin e Nazimit ta mbajë nën kontroll Adnan Azizi. Kjo komunë meriton një figurë punëtore, me parime dhe dinjitet, siç është Nazim Taipi,” tha ai.
Taravari u bëri thirrje qytetarëve për mobilizim të plotë në ditën e zgjedhjeve, duke theksuar se vota më 19 tetor duhet të jetë përgjigje ndaj Adnan Azizit dhe koalicionit LEN, që sipas tij, “po lejon që politika shqiptare të kontrollohet prej pales maqedonase.”
Në fund, ai ftoi qytetarët e Tearcës të votojnë edhe për bartësin e listës për këshillin komunal, Zemri Idrizin, duke theksuar se “Aleanca për Shqiptarët dhe kandidati Nazim Taipi janë garancia për një qeverisje të ndershme, të hapur dhe me punë konkrete për qytetarët.”Tetovasot