Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë konfirmuar se Kryqi i Kuq ka dorëzuar katër arkivole me trupat e pengjeve të vrarë nga Hamasi, të mbledhur në qytetin e Gazës.
Ceremonia e dorëzimit u zhvillua brenda Gazës, e udhëhequr nga një rabin ushtarak, përpara se mbetjet mortore të dërgoheshin për identifikim.
Katër pengjet e identifikuar janë Daniel Peretz, Yossi Sharabi, Bilpin Joshi dhe Guy Illouz. Hamasi nuk ka bërë publik identitetin e pengjeve të dorëzuara, ndërsa IDF i ka bërë thirrje grupit militant të përmbahet marrëveshjes dhe të kthejë trupat e mbetur të 24 pengjeve të ndjerë.
Në përgjigje të vonesave, Izraeli ka vendosur të mos hapë pikën kufitare Rafah dhe të reduktojë fluksin e ndihmave humanitare në Gaza. Ndërkohë, trupat e rreth 45 palestinezëve të vrarë gjatë konfliktit janë kthyer nga Izraeli në Gaza, duke shtuar tensionet në terren.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se i ka komunikuar Hamasit përmes ndërmjetësve se grupi duhet të çarmatoset, ose do të detyrohet ta bëjë këtë me forcë.
Ai pretendon se Hamasi ka pranuar çarmatimin si pjesë e një propozimi paqeje me 20 pika, megjithëse perspektiva për këtë plan është errësuar pas vizitës së tij në Izrael.