Teksa armëpushimi në Gazë vazhdon, forcat e sigurisë së Hamasit janë rikthyer në rrugë, janë përleshur me grupe të armatosura dhe kanë vrarë persona të dyshuar për lidhje me Izraelin.

Grupi militant e quan këtë një përpjekje për të rivendosur ligjin dhe rendin në zonat ku trupat izraelite janë tërhequr.

Kanalet e Telegramit, të lidhura me Hamasin, kanë thënë se organizata ka pasur cak “bashkëpunëtorët dhe tradhtarët” që kanë punuar me Izraelin. Forca e sigurisë e Hamasit, Sahm, ka publikuar pamje që tregojnë teksa i ekzekuton tetë njerëz në rrugë. Aty është thënë se të ndaluarit kanë qenë gangsterë.

Shfaqja e forcës, e mirëpritur nga disa palestinezë pas muajsh paligjshmërie, mund të kërcënojë armëpushimin tani që të gjithë pengjet e gjalla të marra në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 janë liruar.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë vazhdimisht se lufta nuk do të përfundojë derisa Hamasi të jetë shpërbërë, dhe plani i armëpushimit i presidentit të SHBA-së Donald Trump kërkon që Hamasi të çarmatoset dhe t’ia dorëzojë pushtetin një organi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht që ende nuk është formuar.

Hamasi nuk i ka pranuar plotësisht këto kushte, duke thënë se nevojiten më shumë negociata.

Ai thotë se është i gatshëm t’ua dorëzojë pushtetin palestinezëve të tjerë, por nuk do të lejojë që kaosi të mbizotërojë gjatë tranzicionit.

Izraelitët kanë frikë se për sa kohë që Hamasi është i armatosur, ai do të ushtrojë ndikim në Gazë dhe mund të rindërtojë aftësitë e tij ushtarake, edhe nëse një organ i pavarur ushtron sundim nominal.

Trumpi ka thënë të martën se Hamasi kishte shkatërruar “disa banda që ishin shumë të këqija” dhe kishte vrarë një numër anëtarësh të bandës.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com