Në një tubim entuziast të organizuar nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në komunën e Çairit, kandidati për kryetar të qytetit të Shkupit, Skender Zejdi Rexhepi, dha një deklaratë të fuqishme që u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga qindra të pranishëm:
“Tash ka filluar revolucioni i Aleancës Kombëtare për Integrim!”, tha Zejdi, njofton TS.
Rexhepi, i njohur për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe vizionin për një Shkup më të barabartë dhe gjithëpërfshirës, theksoi se ky revolucion është politik, qytetar dhe moral, dhe ka për qëllim rikthimin e dinjitetit të qytetarëve dhe përfaqësimin e denjë të shqiptarëve në kryeqytet.
Tubimi që po mbahet në Çair shënoi një tjetër moment kulmor të fushatës së AKI-së, ku përkrahja për kandidatin për komunën e Çairit, Bujar Osmani, po rritet ndjeshëm çdo ditë.
“Çairi po bëhet zemra e këtij revolucioni, dhe nga këtu do të shpërndahet energjia për ndryshim në të gjithë Shkupin dhe më gjerë,” theksoi Rexhepi në fjalimin e tij.
Aleanca Kombëtare për Integrim vazhdon të mobilizojë mbështetës në të gjithë Shkupin me një mesazh të qartë: koha për ndryshim ka ardhur, dhe ai ndryshim fillon tash!/TS