Danimarka ia kërkon Kosovës themelimin e Asociacionit e Serbisë të mos pengojë Kosovën në organizata ndërkombëtare

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, përfaqësuesi i Danimarkës ka kërkuar që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, të tregojnë angazhim më të madh në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se ka ardhur koha për hapa konkretë.
Ne u bëjmë thirrje si Serbisë ashtu edhe Kosovës që të rrisin angazhimin e tyre ndaj Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Siç e ka thënë shumë qartë Përfaqësuesi Special i sapoemëruar për Dialogun, Z. Peter Sørensen: “Është koha për të ecur përpara”, deklaroi përfaqësuesi danez.
Ai ka theksuar se sipas këtyre marrëveshjeve, Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia duhet të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Sipas këtyre marrëveshjeve, Kosova duhet të krijojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Dhe Serbia duhet të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Normalizimi i marrëdhënieve është në interes të të gjithë popujve të Kosovës dhe Serbisë. Do të ishte në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon”, u shpreh ai.