Turqia me shumë gjasë do të përjashtohet nga misioni i planifikuar i stabilizimit në Rripin e Gazës, i cili do të përbëhet nga rreth 5000 ushtarë, pasi Izraeli ka bërë të qartë se nuk dëshiron pjesëmarrje turke në këtë operacion.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se “kushti është që Izraeli të jetë i kënaqur me përbërjen kombëtare të forcës shumëkombëshe”, e cila do të ketë për detyrë të parandalojë një vakum sigurie pas fillimit të rindërtimit të Gazës. Turqia kishte ofruar të dërgonte trupat e saj, por Izraeli – sipas burimeve diplomatike – ka bërë të ditur se e kundërshton këtë.

Sipas burimeve, misionin e stabilizimit me shumë gjasë do ta udhëheqë Egjipti. Pritet pjesëmarrja edhe e Indonezisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat po kërkojnë që misioni të ketë mandat nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ndonëse vetë nuk do të jetë nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, raporton theguardian.

Forca do të bashkëpunojë me njësinë ushtarake amerikane “Civil-Military Coordination Centre” (CMCC), të vendosur në qytetin izraelit Kiryat Gat. Këtë njësi, në të cilën marrin pjesë këshilltarë nga Britania e Madhe, Franca, Jordania dhe Emiratet, e hapi zyrtarisht të martën zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance. CMCC do të ketë përveç rolit ushtarak edhe detyra në shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza, megjithëse pikat kufitare kryesore mbeten ende të mbyllura.

Misioni pritet të marrë përsipër çarmatimin e Hamasit dhe sigurimin e themelimit të një qeverie kalimtare palestineze. Formimi i kësaj qeverie ende është objekt negociatash, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka përjashtuar mundësinë që Autoriteti Palestinez të ketë rol në Gazën pas luftës. Ndërkohë, fraksionet palestineze, përfshirë Hamasin dhe Fatahun, kanë arritur në Kajro një marrëveshje për krijimin e një “komiteti të përkohshëm të ekspertëve të pavarur”, që do të menaxhojë shërbimet bazë dhe jetën në Gaza.

Në të njëjtën kohë, ekipi turk i menaxhimit të katastrofave (AFAD), që përbëhet nga 81 anëtarë dhe është i pajisur me qen kërkimi dhe pajisje për zbulimin e të mbijetuarve, ende po pret lejen izraelite për të hyrë në Gaza nga Egjipti.

Erdogan deklaroi të premten se “Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për ta detyruar Izraelin të respektojë detyrimet e tij nga plani i paqes së Trumpit”, përfshirë sanksione të mundshme dhe ndalim të shitjeve të armëve.

Nga ana tjetër, Rubio tha se “nuk ka vend për agjencinë UNRWA në Gaza”, duke e quajtur atë “një degë të Hamasit”. Qëndrimi i tij shkaktoi kritika në Evropë dhe në Kombet e Bashkuara, si edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), e cila këtë javë vendosi se UNRWA mbetet “kanali i pazëvendësueshëm për shpërndarjen e ndihmave humanitare”. Gjykata gjithashtu vlerësoi se Izraeli nuk ka paraqitur prova që UNRWA është “i infiltruar në mënyrë të pakthyeshme nga Hamasi”.

Qëndrimi i përbashkët amerikano-izraelit kundër UNRWA-s krijon një dilemë, pasi plani i Trumpit parashikon një rol për OKB-në në shpërndarjen e ndihmave në Gaza, por njëkohësisht kërkon të përjashtojë pikërisht UNRWA-n, agjencinë kryesore për këtë qëllim.

Norvegjia, e cila vitin e kaluar inicioi një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në bazë të së cilës ICJ dha mendimin e vet, po përgatit një propozim të ri që do ta detyronte Izraelin të lejojë hyrjen e pandërprerë të ndihmave humanitare në Gaza. Sipas marrëveshjes nga plani i Trumpit, në Gaza duhej të hynin çdo ditë 600 kamionë me ndihma, por aktualisht numri i tyre është rreth 89 – vetëm 14 për qind e sasisë së planifikuar.

UNRWA ka dënuar Izraelin duke deklaruar “që nga fillimi i luftës në Gaza, edhe Bregu Perëndimor i pushtuar, përfshirë Jerusalemin Lindor, po përjeton një rritje të madhe të dhunës. Familjet po jetojnë në frikë dhe pasiguri. Aneksimi i paligjshëm i Bregut Perëndimor po vazhdon dhe duhet të ndalet. E ardhmja e Gazës dhe e Bregut Perëndimor është e përbashkët”.

Kreu i agjencisë humanitare të OKB-së (OCHA), Tom Fletcher, pas vizitës në Gaza, deklaroi se “kisha ndjesinë sikur po ecja mes rrënojave të Hiroshimës, Stalingradit ose Drezdenit”.

Hamas deklaroi të premten se “ka marrë garanci të qarta nga ndërmjetësit se lufta praktikisht ka përfunduar”, dhe së bashku me Fatahun nënshkroi një marrëveshje për formimin e një organi të përkohshëm administrativ që, me mbështetjen e vendeve arabe dhe organizatave ndërkombëtare, do të drejtojë punët bazë në Gaza. /Telegrafi/

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com