Pas një ndalese për përdorim të ujit për pije prej disa ditësh, analizat e sotme flasin se uji është i pastër në aspektin mikrobiologjik dhe i njëjti mund të përdoret edhe për pije. Këtë e bëri të ditur Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale Sharri i cili gjithashtu tha se dita e sotme shënohet edhe me rritjen e sasisë së ujit nëpër burimet e vendit.
“Sot kemi marrë gjitha analizat që i dërguam në datë 27 e deri më sot dhe këto analiza konfirmojnë se, nga sot uji mund të pihet nga gjithë qytetarët e Tetovës. Sot poashtu kemi një gjendje më të mirë, sepse nëse deri dje kemi pasur litra ujë në sekondë sot kemi afër 300 litra ujë nga gjithë puset”, tha Valon Zeqiri, Drejtor i NPK Sharri, Tetovë.
Sipas Zeqirit, kjo sasi e ujit është më se e mjaftueshme për gjithë qytetarët, por keqpërdorimi i ujit si dhe rrjeti i vjetërsuar në disa vende bën që i njëjti të humbet. Apelon për shfrytëzim racional.
“Për qytetin e Tetovës, edhe verës ku kemi 500 litra ka ankesa, por në bazë të studimit të bërë të mjaftueshme janë vetëm 250 litra ujë në sekondë për gjithë qytetarët e Tetovës, por rrjeti i vjetërsuar dhe harxhimi panevojshëm apo keqpërdorimet e tepërta bëjnë që mos ketë ujë për gjithë qytetarët. Apeloj gjithë qytetarët që sidomos në këtë periudhë të vjeshtës të kenë sa më shumë kujdes me përdorimin e ujit”, u shpreh Valon Zeqiri, Drejtor i NPK Sharri, Tetovë.
Uji për pije në Tetovë u ndalua për përdorim para katër ditësh, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, të cilat sollën deri tek turbullimi i burimit të ujit në Leshnicë, ndërsa gjethet e rëna të kësaj stine, ndikuan që uji të kishte edhe një aromë.