Një agjent federal amerikan tentoi ta korruptonte pilotin kryesor të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, për të devijuar aeroplanin e liderit, në kuadër të një operacioni sekret 16-mujor që përfundimisht dështoi në rrëzimin e tij, raporton Associated Press (AP).
Sipas raportit, agjenti amerikan i tha pilotit në një takim sekret se do të bëhej shumë i pasur nëse do të pranonte të ndihmonte autoritetet amerikane. Biseda ishte tensionuar, dhe piloti nuk dha një përgjigje të qartë, megjithatë i dha numrin e tij të celularit agjentit Edwin Lopez — një shenjë se mund të ishte i interesuar të bashkëpunonte me qeverinë amerikane.
Raporti i AP, bazuar në intervista me tre zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë, si dhe një nga kundërshtarët e Maduros, del në një kohë kur marrëdhëniet midis administratës Trump dhe Venezuelës janë të tensionuara për çështje të trafikut të drogës.
Këtë muaj, presidenti Donald Trump autorizoi CIA-n të kryejë veprime sekrete brenda Venezuelës, ndërsa qeveria amerikane dyfishoi shpërblimin për kapjen e Maduron për akuzat federale të narkotrafikut. Kjo ishte një mundësi që Lopez tentoi të përdorte për ta bindur pilotin përmes një mesazhi me tekst.
Një plan sekret 16-mujor
Plani, i cili dështoi në fund, tregon se SHBA-ja është përpjekur për vite me radhë ta rrëzojë Maduron, që sipas tyre po shkatërronte demokracinë e vendit të pasur me naftë dhe po i jepte mbështetje trafikantëve të drogës, grupeve terroriste dhe Kubës komuniste.
Edwin Lopez vazhdoi përpjekjet për 16 muaj, edhe pas pensionimit nga puna qeveritare në korrik, duke komunikuar me pilotin përmes një aplikacioni të enkriptuar. Historia e përpjekjeve të tij për të bindur pilotin përmban elemente të një trileri spiunazh i Luftës së Ftohtë — aeroplanë privatë luksozë, takime sekrete në hangarë aeroporti, diplomaci me rrezik të lartë dhe përpjekje për të fituar besnikërinë e një ndihmësi kyç të Maduros.
Veprime të ashpra nga SHBA-ja
Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka marrë qëndrim edhe më të ashpër ndaj Maduros. Gjatë kësaj vere, ai dërgoi mijëra trupa, helikopterë sulmues dhe anije lufte në Karaibe, për të goditur anijet e peshkimit që dyshohej se po trafikojnë kokainë nga Venezuela.
Forcat amerikane kanë vrarë të paktën 57 persona në 13 sulme, duke përfshirë disa në Oqeanin Paqësor Lindor.
Sipas AP, të gjithë personat e përmendur në raport folën me anonimitet, pasi nuk ishin të autorizuar të diskutonin operacionin ose frikësoheshin nga hakmarrja. Kjo agjenci gjithashtu verifikoi se ishin autentike mesazhet me tekst midis Lopez dhe pilotit.
Në një nga mesazhet më të fundit, më 7 gusht, Lopez i shkroi pilotit të Maduros: “Ende pres përgjigjen tënde”, duke i bashkangjitur një link të një komunikate të Departamentit të Drejtësisë që njoftonte rritjen e shpërblimit në 50 milionë dollarë.