Ngritet aktakuzë ndaj tre personave që kanë vjedhur kabllo nga fabrika “Hekurishte”, me vlerë 440 mijë euro
Prokuroria Themelore Publike ka ngritur sot aktakuzë kundër tre personave pas përfundimit të hetimeve, të cilët, si bashkëkryerës, kanë kryer veprën penale – Vjedhje e rëndë nga objekte të instalimeve publike me rëndësi të veçantë për sigurinë e njerëzve dhe pasurisë, në përputhje me nenin 236 paragrafi 4 lidhur me paragrafi 1 pika 1 të Kodit Penal, njoftuan nga atje.
Siç thuhet, të akuzuarit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, gjatë periudhës nga marsi deri në fillim të majit të këtij viti, nga rrethina e fabrikës “Hekurishte” në Shkup, respektivisht nga objekti i “Polukonti – IGM” dhe nga tunelët nëntokësorë përmes të cilëve kalojnë kabllot e furnizimit me energji elektrike, kanë marrë disa kilometra kabllo të tensionit të lartë dhe mesatar, në pronësi të subjekteve juridike të dëmtuara AD ESM – Termocentralet e RMV-së – Degë Energjia Shkup dhe MakStill AD Shkup, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 440 mijë eurosh, njofton Prokuroria.
Në disa raste, përmes hapjeve me shkallë që çonin në tunelët nëntokësorë, të akuzuarit hynin nga objekti i “Polukonti – IGM”, dhe pasi siguroheshin me aparat se kabllot nuk ishin nën tension, i prisnin me një brusilë elektrike dhe i grumbullonin pranë hyrjes së tunelit.
“Për shkak të veprimeve të tyre, më 9 prill shpërtheu zjarr në nënstacionin ‘TS Jug’, me ç’rast u shkaktua dëmtim shtesë i instalimeve publike, për riparimin e të cilave u nevojitën më shumë se 100 mijë euro, ndërsa nuk u realizua as prodhimi dhe shpërndarja e planifikuar e energjisë elektrike te konsumatorët për periudhën e riparimeve, me vlerë rreth 60 mijë euro.
Më pas, më 6 maj, të tre të akuzuarit bashkë, me një veturë Volkswagen Golf, erdhën te objekti dhe filluan përgatitjen e kabllove për transport. Por gjatë punës, njëri prej tyre u lëndua nga goditja me kabllo, dhe të tre shkuan në Qendrën Urgjente ‘Nëna Terezë’, ku atij iu dhanë ndihmat mjekësore të nevojshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Më pas, të tre u kthyen në objekt për të marrë mjetet që kishin lënë dhe tentuan të largoheshin nga vendi, por u kapën dhe u arrestuan menjëherë pas daljes nga rrethina e “Hekurishtes”.
Prokurori publik i ka dorëzuar Gjykatës Themelore Penale të Shkupit kërkesë për zgjatjen e masës së paraburgimit për të tre të akuzuarit, pasi ende ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe rreziku i përsëritjes së veprës, që ishin edhe arsyet për caktimin fillestar të kësaj mase.