67-vjeçari nga Shkupi akuzohet për dhunë të rëndë ndaj bashkëshortes – gruaja ka shpëtuar duke u hedhur nga dritarja
Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka filluar procedurë kundër një personi për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore, sipas nenit 131 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, gjatë ushtrimit të dhunës në familje, i dyshuari me qëllim i ka shkaktuar lëndime të rënda bashkëshortes së tij. Pas një debati të shkurtër verbal më 28 tetor në shtëpinë familjare, 67-vjeçari nga fshati Petrovec e ka sulmuar fizikisht gruan, duke e goditur me duar dhe me këmbë në gjithë trupin dhe në kokë, e ka mbytur dhe është përpjekur t’i lidhë këmbët me rrip.
“Gruaja, në disa momente, ka humbur ndjenjat, por ka arritur të çlirohet dhe përmes dritares ka ikur tek fqinjët për të kërkuar ndihmë. Nga dhuna familjare ajo ka marrë lëndime të rënda – fraktura në tre brinjë dhe hematoma. Duke vlerësuar të gjitha rrethanat, veçanërisht rrezikun e arratisjes së të dyshuarit, si dhe mundësinë e përsëritjes së dhunës, të cilën ai e ka ushtruar edhe në praninë e vajzave dhe mbesës së mitur, prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit,” njoftuan nga Prokuroria.