Limaj: Dy partitë e mëdha mund të bashkohen për një alternativë ndryshe, Nisma është e gatshme të bëhet pjesë e saj
									
																Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se dy partitë më të mëdha opozitare në vend kanë mundësinë të bashkohen për të ndërtuar një alternativë të re qeverisëse.
Ai tha se Nisma është e gatshme të japë kontributin e saj nëse ekziston një projekt serioz politik.
“Qytetari nuk mjaftohet me thanë ‘po vij me një alternativë ndryshe’. Ai don me pa veprime ndryshe. A po e bashkon këtë zë opozitar që duan një qeveri ndryshe? Çka po bën ti me veprime konkrete me afru këtë bosht ose këtë ekip?”, u shpreh Limaj në emisionin “Frontal”.
Sipas tij, përgjegjësinë për krijimin e një blloku të ri opozitar e mbajnë kryesisht dy partitë e mëdha.
“Dy partitë e mëdha e kanë këtë mundësi. Atyre po ju flas, atyre që duan një qeveri ndryshe. Për me vazhdu njëjtë e kanë LVV-në. Nisma është e gatshme me dhanë kontributin e vet për bashkimin e kësaj vote për një alternativë ndryshe, ama unë duhet me i pa a ka hap serioz e konkret drejt krijimit të një alternative ndryshe,” tha Limaj.
Ai shtoi se Nisma do të mbështesë çdo projekt serioz që synon ndryshim real dhe që qytetarët mund ta shohin si mundësi të besueshme.
“Aty ku është Nisma është kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, përfundoi Limaj.