Aliu: Vazhdojmë me përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore në Spitalin Klinik të Manastirit
Gjatë periudhës së fundit, Spitali Klinik “Dr. Trifun Panovski” – Manastir, ka arritur rezultate të rëndësishme në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, përmes investimeve serioze në staf, pajisje dhe praktika moderne mjekësore. Ky progres ishte arsyeja e vizitës së sotme të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, në këtë institucion shëndetësor.
Për të siguruar kujdes shëndetësor cilësor dhe të qasshëm, në spital janë punësuar katër specialistë të rinj, të cilët kanë kaluar nga sektori privat në atë publik – një kardiolog intervenues, një infektolog, një internist dhe një dermatovenerolog. Me këtë është kompletuar ekipi i kardiologjisë, ndërsa në plan është zhvillimi i elektrofiziologjisë klinike me implantimin e pajisjeve pacemaker.
“Manastiri është spitali i parë në vend që ka filluar me decentralizimin e terapive onkologjike – çdo javë një mjek nga Klinika e Radioterapisë dhe Onkologjisë punon me pacientët në Manastir duke ulur nevojën që ata të udhëtojnë në Shkup për konsultime dhe kontrolle. Brenda mbështetjes nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, spitali është përforcuar me pajisje të reja mjekësore, përfshirë një aparat të ri digjital rentgeni, analizatorë biokimikë dhe imunologjikë, një aparat modern për metodën FAKO dhe një eko-aparat të ri për oftalmologji, si dhe një digestor të ri për repartin e patologjisë,” theksoi ministri Aliu.
Në periudhën e kaluar janë pranuar 11 specialistë privatë, ndërsa është realizuar plotësisht konkursi për punësimin e 53 punonjësve të rinj mjekësorë, duke përmirësuar kështu funksionalitetin e të gjitha reparteve dhe reagimin ndaj nevojave të pacientëve.
“Qëllimi ynë është që çdo rajon të ketë një spital me kushte moderne, staf të motivuar dhe standardin më të lartë të kujdesit shëndetësor. Spitali Klinik i Manastirit është shembull i qartë se si me përkushtim, investime dhe strategji, mund të krijojmë një qendër moderne rajonale, më afër qytetarëve dhe me të gjitha shërbimet e nevojshme në një vend,” deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Me këto investime, Spitali Klinik “Dr. Trifun Panovski” – Manastir po shndërrohet në një qendër moderne rajonale, me staf të fuqishëm, pajisje bashkëkohore dhe kujdes sistematik që e afron shërbimin shëndetësor tek çdo pacient.


