Realizohet ëndrra për lidhje hekurudhore Shkup-Sofje! Nikolloski dhe Karaxhov nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e tunelit
Shumë fytyra të buzëqeshura dhe eufori u pa sot në stacionin hekurudhor “Gjevesh”. Kjo pasi po realizohet ëndrra për lidhje hekurudhore mes Shkupit dhe Sofjes.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, dhe homologu i tij bullgar Grozdan Karaxhov vunë nënshkrimin në Marrëveshjen për ndërtimin e tunelit ndërkufitar hekurudhor mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, i cili është pjesë e hekurudhës së Korridorit 8.
“Është vërtetë kënaqësi të jesh sot këtu në Gjevesh dhe të nënshkruajmë një marrëveshje që besoj se është ëndërr e brezave nga të dyja anët e kufirit, diçka që kemi lexuar, diçka që që nga fëmijëria kemi dëgjuar se dy shtetet, dy kryeqytetet, Sofja dhe Shkupi, duhet të lidhen me lidhje hekurudhore”, tha Aleksandar Nikoloski – Zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit.
“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje sot, ne kthehemi te jeta pas më shumë se një shekulli, më shumë se 138 vjet nga krijimi i asaj që quhet Hekurudha e Parë Ballkanike dhe fillimi i kontaktit, lidhjes mes Shkupit dhe Sofjes. Kjo është një ëndërr e gjatë, është një projekt shumë i dëshiruar”, tha Grozdan Karaxhov – Zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit i Bullgarisë.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian, NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasadorja e SHBA-ve në vend Angela Aggeler, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare.
“Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për të dy vendet, por edhe për të gjithë rajonin. Për gjithë Bashkimin Evropian dhe shtetet e tij anëtare, por edhe për të gjithë bashkëpunëtorët e përbashkët nga komuniteti ndërkombëtar”, pohoi Valentina Superti – Drejtore e Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor në KE.
Gjatësia e tunelit është rreth 2,4 kilometra, gjysma në anën e Maqedonisë dhe gjysma në atë të Bullgarisë. Në anën tonë janë tre segmente. Nikolloski njoftoi se së shpejti do ta ftojë zëvendëskryeministrin Karaxhov në Maqedoni për përfundimin e hekurudhës nga Bellakovca deri në Kriva Pallankë, si dhe për fillimin e punimeve ndërtimore të hekurudhës nga Kriva Pallanka deri te kufiri. Sipas njoftimeve, muajin e ardhshëm do të shpallet thirrja për zgjedhjen e kontraktorit për tunelin. Hekurudha drejt Bullgarisë filloi të ndërtohet në vitin 1994.