Izet Mexhiti tenton t’ia marrë meritat Besar Durmishit për kontrollet ndaj kompanive të kredive të shpejta!
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka paralajmëruar kontrolle të intensifikuara ndaj shoqërive financiare që ofrojnë kredi të shpejta, duke theksuar se mbrojtja e interesave ekonomike të qytetarëve dhe e të drejtave të konsumatorëve mbetet një nga prioritetet kryesore të ministrisë që ai drejton.
Durmishi bëri të ditur se gjatë tre muajve të fundit, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer kontrolle në 27 shoqëri financiare të licencuara. Si rezultat i parregullsive të konstatuara, janë shqiptuar 18 masa inspektuese, ndërsa gjobat do të arrijnë deri në 100 mijë euro.
Por, pas këtij lajmi që synon mbrojtjen e qytetarëve, duket se njëri prej liderëve të VLEN-it, Izet Mexhiti, është përpjekur t’ia marrë meritat ministrit Besar Durmishi.
Mexhiti nuk e ka shpërndarë njoftimin e ministrit dhe as nuk e ka përmendur punën e tij, por ka publikuar një status në Facebook, duke krijuar përshtypjen sikur ai vetë është personi që ka ndërmarrë këto masa ndaj shoqërive që ofrojnë kredi të shpejta.
“Nuk do të lejojmë që varësia nga kumari apo nevoja për para të shpejta të shfrytëzohen në dëm të qytetarëve. Paratë dhe dinjiteti i qytetarëve meritojnë mbrojtje. Ne do të vazhdojmë të veprojmë me kontrolle, përgjegjësi dhe zbatim të ligjit, pa përjashtim”, ka shkruar Mexhiti.
