Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, theksoi se, sa i përket integrimit evropian, Maqedonia mbetet e përkushtuar në realizimin e reformave dhe bëri të ditura dy lajme të mira. I pari është se vendi do të përfitojë mjete shtesë nga Plani për Rritje, ndërsa i dyti është se ne ishim të parët që e përfunduam pjesën teknike për “Roam at Home”.

“Sa i përket integrimit tonë në BE, ne mbetemi të përkushtuar ndaj asaj që është detyra jonë, përkatësisht realizimit të të gjitha reformave të nevojshme dhe të gjithçkaje që kërkohet prej nesh. Si rezultat i këtij përkushtimi, dje erdhi një lajm i mirë nga presidentja Von der Leyen, se do ta përfitojmë atë shtesë, së bashku me Malin e Zi dhe Shqipërinë, ndërsa Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia do ta humbin atë. Kjo shtesë do të jetë mundësi jo vetëm për sigurimin e likuiditetit dhe mbështetjen e buxhetit, por edhe për realizimin e projekteve të caktuara. Lajm i mirë është se njëri nga projektet që kemi paraqitur është sanimi përfundimtar i deponisë së mbetjeve minerare në Probishtip, ky projekt do të përfshihet në mesin e projekteve të financuara dhe do të ketë rëndësi të madhe për qytetarët e Probishtipit dhe për atë pjesë të Maqedonisë Lindore”, deklaroi kryeministri Mickoski.

Lajmi i dytë i mirë, siç paralajmëroi kryeministri Mickoski, është se më në fund ishim të parët që e përfunduam dialogun teknik, për çka duhet t’i shprehim mirënjohje edhe ministrit për Transformim Digjital, në kuadër të procesit “Roam at Home”, me çka bëhemi pjesë e komunikacionit të brendshëm të Bashkimit Evropian.

“Disa e përqeshin këtë, por kjo përcjell një mesazh me peshë të madhe dhe ka rëndësi politike. Tashmë ju shohin si pjesë të Evropës dhe bëheni pjesë e atij tregu të përbashkët. Do të pajtoheni se për ne si vend, i cili ka shumë mërgimtarë jashtë kufijve, kjo do ta lehtësojë shumë komunikimin e tyre me të afërmit brenda BE-së. Nuk jam i kënaqur që po e them këtë, sepse qëllimi im është që ata të kthehen në shtëpi, por, sido që të jetë, do të arrijmë ta lehtësojmë sadopak këtë. Kjo është vetëm vazhdimësi e asaj që bëmë me SEPA-n, kur i ulëm shpenzimet për transferimin e mjeteve që vijnë nga BE-ja drejt vendit tonë”, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski shtoi se, gjithashtu, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme po punohet në një iniciativë që vendi ynë të bëhet pjesë e grupit ku produktet e prodhuara në Maqedoni do të mbajnë shenjën “Made in Europe”. Kjo do të ketë rëndësi të madhe, veçanërisht në aspektin e politikës doganore dhe tarifore, por për momentin nuk mund të dihet se deri ku do të arrijmë.

Njëkohësisht, lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe takimin e djeshëm në Bruksel, kryeministri Mickoski theksoi se, për momentin, duke qenë se të gjitha vendet e tjera kanë probleme, Maqedonia është një lloj faktori stabiliteti, gjë që e kanë theksuar edhe vetë bashkëbiseduesit në atë takim.

“Mund të them se ne si shtet jemi faktori i vetëm i stabilitetit dhe këtë e tha njëri nga folësit: “Shikoni maqedonasit, të parët filluan, të parët morën statusin e vendit kandidat, të parët e harmonizuan politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, të parët u anëtarësuan në SEPA, të parët e përmbyllën procesin ‘Roam at Home’, gjithmonë dalin të parët, të parët janë edhe sipas raporteve për Agjendën Reformuese, por ja që kanë një problem dhe është kjo që është”. Sa herë që flasim për sistemin e meritave në procesin e negociatave, ndërsa nga ana tjetër kemi një problem, e gjithë kjo më duket disi në kundërshtim me njëra-tjetrën, sepse këto dy gjëra nuk përputhen. Ajo që më shqetëson edhe më shumë është se nuk kemi asnjë garanci se ky do të jetë problemi i fundit, edhe nëse nesër e ndryshojmë Kushtetutën, gjë që nuk do të ndodhë. Problemi i radhës është Plani për Veprim për Pakicat. Ju nuk mund të hapni Fundamentals nëse nuk e përmbushni këtë Plan të Veprimit. Shpresoj që ai një shtet anëtar më në fund të vijë në vete, por kam përshtypjen se edhe shtetet e tjera anëtare po e humbin gradualisht durimin me atë shtet anëtar”, deklaroi kryeministri Mickoski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume