Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot realizoi takim pune me raportuesit e Komisionit të Venecias, në kuadër të procedurës për marrjen e mendimit lidhur me modelin e propozuar për organizimin dhe dhënien e provimit të jurisprudencës.

Në takim morën pjesë kryetari dhe anëtarët e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, të cilët prezantuan dhe demonstruan në mënyrë praktike mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të provimit. Me këtë, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias patën mundësi të njihen drejtpërdrejt me procedurat e parashikuara dhe zbatimin praktik të modelit të propozuar.

Gjatë takimit, ministri elaboroi bazën kushtetuese dhe ligjore të iniciativës, argumentimin juridik të modelit të propozuar, si dhe procesin konsultativ të zhvilluar me përfaqësuesit e fakulteteve juridike, dekanët dhe organizatat studentore.

Ministri Shasivari theksoi se qëllimi kryesor i zgjidhjes së propozuar është sigurimi i qasjes së barabartë në provimin e jurisprudencës për të gjithë kandidatët, pa vënë në pikëpyetje kriteret profesionale, cilësinë dhe integritetin e provimit.

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, potencoi se kërkesa për mendim nga Komisioni i Venecias përbën iniciativë për marrjen e vlerësimit juridik të pavarur, objektiv dhe profesional, me qëllim që të sigurohet një zgjidhje që do të jetë kushtetuese, juridikisht e qëndrueshme dhe e harmonizuar me standardet evropiane.

Ministria vlerëson ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe mbetet e hapur ndaj rekomandimeve dhe propozimeve të tij, e bindur se dialogu institucional dhe analiza profesionale juridike janë rruga më e mirë drejt gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Për ne, kjo çështje nuk është çështje e garës politike, por çështje e barazisë para ligjit, e mundësive të barabarta dhe e respektimit konsekuent të standardeve profesionale.

Përcaktimi ynë mbetet i qartë: të drejtat të mos mbeten vetëm parime të shkruara, por të shndërrohen në zgjidhje konkrete, të zbatueshme dhe juridikisht të qëndrueshme.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume