Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur se gjatë muajit dhjetor në Kuvend do të dorëzohen dy ligje të posaçme që synojnë lehtësimin e zgjidhjes së çështjes së banimit për çiftet e reja.

Sipas Mickoskit, masa e parë parasheh që çiftet e reja ku të paktën njëri bashkëshort është deri në moshën 35-vjeçare, të kenë mundësi të blejnë sipërfaqe banimi me 20% ulje nga çmimi mesatar i tregut i vitit paraprak.

Ai tha se kompanitë ndërtimore, gjatë procesit të urbanizimit dhe marrjes së lejeve për ndërtim, do të obligohen të ndajnë së paku 10% të sipërfaqes së banimit për këtë kategori qytetarësh.

Sipas të dhënave të Kadastrës të prezantuara nga Mickoski, çmimet e parashikuara pas uljes do të ishin:
– Tetovë: nga 785 euro për m² në rreth 627 euro për m²
– Gostivar: nga 635 euro në rreth 508 euro për m²
– Shkup – Qendër: nga 1915 euro në rreth 1530 euro për m²
– Karposh: nga 1386 euro në rreth 1110 euro për m²
– Ohër: nga 1138 euro në rreth 911 euro për m²
– Strumicë: nga 751 euro në rreth 601 euro për m²
– Manastir: nga 525 euro në rreth 420 euro për m²
Masa e dytë, sipas kryeministrit, lidhet me çiftet e reja që duan të ndërtojnë shtëpi. Ai u bëri thirrje komunave që të ofrojnë parcela përmes ankandeve publike me çmime simbolike dhe t’i lirojnë këto familje nga pagesa e komunalive.

“Qëllimi është që të ndihmohen të rinjtë të zgjidhin një nga problemet më të mëdha – sigurimin e një kulmi mbi kokë”, tha Mickoski.

Ai shtoi se pret që komunat të krijojnë konkurrencë mes tyre për të tërhequr sa më shumë familje të reja përmes masave lehtësuese.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume