Drejtori ekzekutiv i “Tesla”-s, Elon Musk, mori miratimin nga aksionarët për paketën më të madhe të pagesave korporative në histori, pasi investitorët mbështetën vizionin e tij për ta shndërruar prodhuesin e automjeteve elektrike në një gjigant të inteligjencës artificiale dhe robotikës.
Propozimi u miratua me më shumë se 75 për qind mbështetje, dhe Musk doli në skenë gjatë mbledhjes vjetore të kompanisë në fabrikën e saj në Austin, Teksas, i shoqëruar nga robotë që vallëzonin.
Musk, i cili tashmë është njeriu më i pasur në botë, mund të marrë aksione me vlerë deri në 1 trilion dollarë gjatë dekadës së ardhshme, megjithëse pagesat e nevojshme do ta ulnin vlerën reale në 878 miliardë dollarë.
Votimi është vendimtar për të ardhmen e “Tesla”-s dhe për vlerësimin e saj në treg, që varet nga vizioni i Musk për prodhimin e automjeteve që vetëdrejtohen, krijimin e një rrjeti taksish robotike në të gjithë SHBA-në dhe shitjen e robotëve humanoidë — megjithëse retorika e tij politike e ekstremit të djathtë ka dëmtuar imazhin e “Tesla”-s këtë vit.
Bordi paralajmëroi se ai mund të largohej nëse nuk e merrte këtë paketë pagash. Ndërsa disa investitorë thanë se paketa është jashtëzakonisht e shtrenjtë dhe e panevojshme, shumë të tjerë e panë si mënyrën e vetme për ta mbajtur Musk dhe besojnë se objektivat e vendosura në këtë marrëveshje sigurojnë që edhe aksionarët të shpërblehen.
“Më duhet të them se ajo që po fillojmë nuk është thjesht një kapitull i ri në të ardhmen e Tesla-s, por një libër krejtësisht i ri,” u tha Musk aksionarëve.
Më pas ai bëri disa premtime në skenë – duke përfshirë fillimin në prill të prodhimit të Cybercab, taksisë së tij robotike me dy vende pa timon, dhe prezantimin e makinës sportive elektrike Roadster të gjeneratës së re. Ai gjithashtu deklaroi se Tesla-s do t’i duhet një fabrikë gjigante çipash për prodhimin e çipave të inteligjencës artificiale dhe se duhet të shqyrtojë një bashkëpunim me Intel.
Aksionarët gjithashtu rizgjodhën tre anëtarë të bordit drejtues, votuan për mbajtjen e zgjedhjeve vjetore për të gjithë anëtarët e bordit dhe miratuan një plan për zëvendësimin e paketës së pagave që Musk kishte më herët, e cila është ende pezull në gjykatë.
“Të tjerët mbajnë mbledhje aksionarësh që janë përgjumëse, por tonat janë çmenduri,” tha Musk. “Shikoni këtë — është e jashtëzakonshme.”
Aksionarët gjithashtu votuan për investimin e Tesla-s në start-up-in e inteligjencës artificiale të Musk, xAI, megjithëse kishte shumë abstenime. Kjo mund të pasqyrojë hezitimin e investitorëve të mëdhenj për ta miratuar marrëveshjen pa një mbikëqyrje më të fortë nga bordi, deklaroi Jessica McDougall, partnere në firmën e këshillimit strategjik dhe menaxherial “Longake Square.”