Tajfuni “Kalmaegi” u merr jetën të paktën 193 personave në Filipine dhe Vietnam, i drejtohet Kamboxhias
Tajfuni Kalmaegi u ka marrë jetën të paktën 188 personave në Filipine dhe pesë në Vietnam, ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur, sipas të dhënave më të fundit nga autoritetet vendase.
Stuhia, e shoqëruar me erëra që arritën deri në 149 km/orë, ka vazhduar lëvizjen drejt perëndimit, në drejtim të Kamboxhias dhe Laosit, pasi goditi rëndë Vietnamin qendror të enjten në mbrëmje.
Qytetet bregdetare vietnameze u zgjuan të mbuluara nga mbeturina, ndërsa pemët e rrëzuara, çatitë e shkulura dhe dritaret e thyera dëshmonin fuqinë shkatërruese të tajfunit. Mijëra njerëz u strehuan në shkolla e ndërtesa publike, ndërsa ushtria u angazhua për përballimin e dëmeve.
Autoritetet kanë paralajmëruar për përmbytje të mëtejshme në zonat e ulëta, pasi reshjet rekord gjatë javës së fundit në Vietnam tashmë kanë shkaktuar 50 viktima.
Në Filipine, ku tajfuni u njoh me emrin Tino, pasojat kanë qenë katastrofike. Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë shkatërruar lagje të tëra, veçanërisht në ishullin Cebu, duke lënë dhjetëra mijëra njerëz pa strehë. Qeveria shpalli gjendje katastrofe kombëtare, ndërsa paralajmëroi për një tjetër stuhi që po afrohet nga Oqeani Paqësor.
Në Vietnam, më shumë se 260 mijë trupa ushtarake dhe 6,700 mjete u vendosën për përpjekjet e shpëtimit, ndërsa qindra mijëra banorë u evakuuan përpara se Kalmaegi të godiste tokën në provincën Dak Lak, rreth 350 km në verilindje të Ho Chi Minh City.