Shkup, 7 nëntor – Kryetari i sapozgjedhur i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, dje edhe zyrtarisht e mori funksionin në ambientet e Qytetit të Shkupit. Një nga mesazhet e para që ai dërgoi ishte se “Shkupi është i çliruar”.
Ajo që tërhoqi veçanërisht vëmendje ishte heqja e rampave para ndërtesës së Qytetit të Shkupit. Me këtë, theksoi Gjorgjievski, institucioni bëhet sërish i qasshëm dhe i hapur për mediat dhe për të gjithë qytetarët.
Gazetarët kishin hasur vështirësi për vite me radhë me ish-kryetaren Danella Arsovska, e cila nuk ishte e gatshme për deklarata apo për dhënie informacioni. Nuk është sekret se ajo i shihte shumë media si armiqësore, ndërsa transparenca pothuajse nuk funksiononte gjatë katër viteve të fundit.
Përveç mediave, Qyteti i Shkupit do të jetë i hapur edhe për qytetarët, të cilët, si palë të interesuara, kanë të drejtë të paraqiten për pyetje dhe probleme.