Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike të paidentifikuar drejt lindjes, njoftoi sot agjencia e lajmeve koreano-jugore” Yonhap”, duke cituar ushtrinë e Seulit.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut (JCS), raketa u lëshua në drejtim të Detit të Japonisë, i njohur gjithashtu si Deti Lindor. Fillimisht nuk u dhanë detaje të tjera mbi lëshimin e raketës.

“Yonhap” kujtoi se Pheniani kishte kryer për herë të fundit prova me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në fund të tetorit.

Sipas raportimeve, lëshimi më i fundit i raketës nga Pheniani pritet të jetë një përgjigje ndaj sanksioneve aktuale të vendosura nga Uashingtoni.

Të martën, Departamenti Amerikan i Thesarit shtoi tetë individë dhe dy entitete nga Koreja e Veriut në listën e tij të sanksioneve. Ata akuzohen për pastrim parash dhe krime kibernetike.

Koreja e Veriut ndalohet me rezolutat e Kombeve të Bashkuara të lëshojë apo të testojë raketa balistike të çdo rrezje. Këto raketa zakonisht janë tokë-tokë dhe mund të pajisen edhe me koka bërthamore.

Pheniani ka zgjeruar ndjeshëm testet e tij raketore gjatë viteve të fundit, duke ashpërsuar retorikën ndaj SHBA-së dhe Koresë së Jugut, ndërkohë që ka forcuar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com