Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e zgjati edhe për një vit gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare kundër Iranit, e cila lejon sanksione të njëanshme kundër vendit, sipas një deklarate presidenciale të botuar në Regjistrin Federal, një përmbledhje e dokumenteve zyrtare të qeverisë amerikane, sipas “TASS”.

Deklarata e udhëheqësit amerikan tregon se marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Iranit ende nuk janë normalizuar dhe se procesi i zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe, të datës 19 janar 1981, vazhdon ende.

Kjo i referohet Marrëveshjeve të Algjerit midis SHBA-së dhe Iranit. Ato çuan në lirimin e diplomatëve amerikanë që ishin mbajtur peng në Teheran për më shumë se një vit – pas revolucionit të vitit 1979.

Këto dokumente, në veçanti, përcaktojnë parimin e mosndërhyrjes nga vendet në punët e brendshme të njëri-tjetrit.

“Për këtë arsye, gjendja e jashtëzakonshme kombëtare e shpallur më 14 nëntor 1979 dhe masat e miratuara në atë datë – duhet të vazhdojnë në fuqi përtej 14 nëntorit 2025”, tha Trump.

“Gjendja e jashtëzakonshme kombëtare në lidhje me Iranin do te zgjatet edhe për një vit”, shtoi ai.

Më 14 nëntor 1979, Jimmy Carter, presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkroi “Urdhrin Ekzekutiv 12170” në përgjigje të kapjes së pengjeve amerikane në Teheran.

Departamenti Amerikan i Thesarit u udhëzua të ngrinte të gjitha asetet zyrtare iraniane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë llogaritë në bankat amerikane dhe degët dhe zyrat e tyre të huaja. Kjo në fakt prezantoi masat e para ndëshkuese ekonomike kundër Iranit.

Më 7 prill 1980, Carter ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin dhe ndaloi të gjitha eksportet nga SHBA-ja në Iran, duke përfshirë ushqimin dhe ilaçet. Më pas, u vendos një embargo për importin e çdo produkti nga Irani në SHBA dhe amerikanëve iu ndalua të udhëtonin në Iran.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume