Inspektor policor në Makedonska Kamenicë akuzohet për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” – ndezi zjarr në oborrin e njësisë policore
Sektori për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Seksioni i specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore, kundër D.S., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 288 të Kodit Penal informon Tetovasot.
Sipas kallëzimit, D.S., i punësuar si inspektor për rend publik dhe parandalim në Njësinë Policore në Makedonska Kamenicë, më 27 gusht 2025, gjatë orarit të punës, ka hedhur letra nga materiale zyrtare në një fuçi metalike të përdorur për mbeturina dhe i ka ndezur, duke i lënë të digjen pa mbikëqyrje.
Zjarri është përhapur përreth, ka përfshirë barin e thatë dhe i është afruar objektit të njësisë policore, duke shkaktuar rrezik për pronën dhe sigurinë e njerëzve.
Përveç kallëzimit penal, Sektori për Kontroll të Brendshëm do të paraqesë edhe propozim për procedurë disiplinore ndaj inspektorit për shkelje të rendit dhe disiplinës në punë.TS