Në vitet ’90, gjatë masakrës së popullsisë në Sarajevë nga forcat serbo-boshnjake, ka pasur edhe snajperistë italianë. Të ashtuquajtur “Cecchini del weekend” që shkonin në kryeqytetin boshnjak për të qëlluar mbi civilë për argëtim. Këtë e zbulon dëshmia e jashtëzakonshme e agjentit të inteligjencës boshnjake, Edin Subašić, dhënë shkrimtarit Ezio Gavazzeni.

Sipas tij, shërbimi sekret italian SISMI kishte zbuluar këto “udhëtime të tmerrit” dhe, në një moment të papërcaktuar, kishte arritur t’i ndalonte, ndoshta duke alarmuar edhe shërbime të tjera perëndimore aleate. Nuk dihet sa kohë ka zgjatur kjo gjueti e tmerrshme ndaj civilëve, por këtë verë, pas një kallëzimi të dorëzuar nga Gavazzeni në Prokurorinë e Milanos, është hapur një hetim. Shumë nga protagonistët e asaj kohe mund të jenë ende gjallë, edhe pse kanë kaluar mbi 30 vjet.

Në dokumentet e kallëzimit, Subašić përshkruan me saktësi kronologjike ngjarjet: “Shërbimet boshnjake mësuan për ‘safarin’ (kështu e quan ai vetë) në fund të vitit 1993. Ne informuam SISMI-n në fillim të 1994-s dhe ata na u përgjigjën pas 2-3 muajsh: ‘Zbuluam se safari nisej nga Trieste. E kemi ndalur dhe nuk do të ndodhë më’”. Që nga ajo kohë nuk ka më prova që safarët e snajperistëve italianë me pagesë të jenë përsëritur: “Shërbimi boshnjak nuk mori më informacione për përsëritje të safarit në Sarajevë. Nuk morëm emrat e autorëve apo organizatorëve nga SISMI. Duhet të ekzistojë një dokument që vërteton se në gjysmën e parë të vitit 1994 në Trieste u zbulua pika e nisjes dhe u ndërpre operacioni.”

Në dokumentet e bashkëngjitura kallëzimit ndodhet edhe një letër e Subašić drejtuar Gavazzenit, ku përshkruan në mënyrë tronditëse profilin psikologjik të këtyre snajperistëve për argëtim: “E keni përshkruar mirë profilin e ‘snajperistit’: një gjuetar pasionant që ka provuar të gjitha llojet e safarive të ligjshme dhe më pas, për adrenalinë, kërkon edhe një kokë njerëzore si trofe; një person që adhuron armët dhe njëkohësisht është psikopat; një ish-ushtar që nuk arrin të ndalet pas fushëbetejave. Në çdo rast, shkruan Subašić, janë të gjithë pjesë e një rrethi të pasurish dhe ndoshta me ndikim në komunitetet e tyre. Kanë burime ligjore për t’u mbrojtur nga hetimet dhe ndikim politik për t’i penguar ato. Rreziku që operacioni të zbulohet dhe autorët të ndiqen penalisht është minimizuar nga një organizim i mirë.”

Sipas dëshmisë, italianët ishin të paktën tre dhe vinin nga Trieste, Milano dhe Torino. Një dëshmitar okular përmendi këto qytete si origjinë të tyre. Ata mbërrinin në Sarajevë me helikopterë të Republikës Serbe të Bosnjës. Hetimi i Milanos tashmë ka nisur të marrë dokumente nga Tribunali Penal Ndërkombëtar i Hagës për ish-Jugosllavinë, pas kallëzimit. Një “ushtar serb i kapur” i kishte treguar agjentit boshnjak se kishte parë personalisht transportimin e njërit prej “gjuetarëve”.

“Cecchini del weekend” ishin me shumë gjasë, përveçse të pasur, edhe gjuetarë për hobi. Një nga pistat për të rindërtuar këto “safari” janë rrjetet që organizonin udhëtime gjuetie në Kroaci, Slloveni, Serbi, Hungari, Bullgari dhe Rumani. Për këta individë, kalimi nga gjuetia e drerëve dhe derrave të egër te civilët dhe fëmijët e Sarajevës ishte vetëm një hap.

Subašić shkruan se nuk ka pasur akses në arkivat ushtarake boshnjake: “Kam frikë se nuk është e mundur të gjendet korrespondenca mes SISMI-t dhe shërbimeve sekrete boshnjake. Nuk kam arritur ta gjej në arkivat ushtarake të Sarajevës, dokumentet janë të klasifikuara si top sekrete”. Ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Karic, ka kërkuar të dëshmojë në hetimin e Milanos. Një gjurmë mund të ekzistojë në arkivat e inteligjencës ushtarake italiane, ose ndoshta në DIS, pasi sipas dëshmisë boshnjake, këto snajperizma u ndaluan nga SISMI: por nëse ekziston, sa e aksesueshme është kjo gjurmë sot? Dhe çfarë mbrojtjeje kanë pasur ndër vite këta tre italianë, me gjasë të pasur dhe me lidhje të forta?

Ish-kryetarja e bashkisë rrëfen edhe një detaj edhe më të tmerrshëm: sipas “dëshmisë së një zyrtari anonim të shërbimeve sekrete sllovene”, për “të qëlluar një fëmijë paguhej një shpërblim më i lartë”. Slloveni thotë se “ka qenë dëshmitar personalisht teksa dëgjonte të huajt e pasur të apasionuar pas këtyre veprimeve çnjerëzore”.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com