Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka gjasa javën e ardhshme ta padisë “BBC”-në për madje 5 miliardë dollarë, pasi transmetuesi britanik pranoi se kishte montuar gabimisht një video nga fjalimi i tij, por insistoi se nuk ka bazë ligjore për kërkesën e tij. Korporata Britanike e Transmetimit ndodhet në krizën më të madhe të dekadave të fundit pasi dy drejtorë të lartë dhanë dorëheqje pas akuzave përanshmëri, përfshirë edhe montimin e fjalimit të Trumpit më 6 janar 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin në Uashington.
Avokatët e Trump fillimisht i dhanë afat “BBC”-së deri dje që ta tërhiqte dokumentarin ose të përballej me padi prej “jo më pak se” 1 miliard dollarë. Ata gjithashtu kërkuan falje dhe kompensim për atë që e quajtën “dëm i madh ndaj reputacionit dhe dëm financiar”, sipas një letre në të cilën ka pasur qasje agjencia Reuters.
“BBC”, e cila pranoi se montimi i deklaratave të Trumpit ishte “vlerësim i gabuar”, më 13 nëntor i dërgoi një falje personale Trumpit, por tha se nuk do ta ritransmetojë dokumentarin dhe e hodhi poshtë pretendimin për shpifje.
“Do t’i padisim për diku mes 1 dhe 5 miliardë dollarëve, ndoshta javën e ardhshme. Mendoj se duhet ta bëj, mendoj se madje pranuan se kanë mashtruar. I ndryshuan fjalët që dilnin nga goja ime”, deklaroi Trump.
Ai tha se nuk ka biseduar për këtë çështje me kryeministrin britanik Keir Starmer, me të cilin thotë se ka ndërtuar marrëdhënie të forta, por planifikon ta telefonojë gjatë fundjavës. Sipas Trump, Starmer ka tentuar ta kontaktojë dhe ka qenë “shumë i turpëruar” nga incidenti.
Dokumentari, i cili u transmetua në “Panorama”, emisioni kryesor informativ i BBC-së, kishte bashkuar tre pjesë video nga fjalimi i Trumpit, duke krijuar përshtypjen se ai po nxiste trazirat e 6 janarit 2021. Avokatët e tij thanë se kjo është “e rreme dhe shpifëse”.