Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në seancën e sotme të përbashkët të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe Komisionit për Çështje Evropiane, në të cilën u shqyrtua raporti më i ri i Komisionit Evropian për vendin, theksoi se për të 16-tën herë, ky raport, ashtu si edhe të mëparshmit, nuk flet vetëm për të vlerësuarin, por edhe për vlerësuesin.

Sipas saj, nëse ka ndonjë vlerësim ose garë për gatishmëri politike, atëherë ne do të ishim kampionë në zbatimin e detyrimeve, rezultatet i shohim. “Kjo nuk është kohë për reforma, për fat të keq, sepse koha i ngjan një periudhe lufte, ose para lufte, dhe kjo nuk është kohë kur mund të bëhen reforma.”

“Ama për mua, edhe më parë edhe tani, BE-ja është filozofia e vetme politike e mbështetur nga të gjithë aktorët, nga publiku në Ballkan. BE-ja është perspektivë, BE-ja është motiv për reforma demokratike, Bashkimi stimulon reforma që çojnë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm. Jam e sigurt se integrimi ynë në BE do t’i japë fund fenomenit të balkanizimit, si fenomen i ndryshimit të vazhdueshëm të kufijve,” tha ajo.

Ajo kujtoi deklaratën e ish-komisarit evropian Olli Rehn se ne nuk jemi problem për kapacitetin përthithës të Bashkimit.

Ajo theksoi se BE-ja nuk është pjesëmarrëse e pafajshme në gjithçka që ka ndodhur, por “ka pasur mungesë të një strategjie të qartë, ka vonuar në Ballkan, SHBA-të nganjëherë kanë qenë më të shpejta, nuk kanë qenë konsistente në bashkimin paqësor dhe edhe sot preferojnë standarde të dyfishta”.

Ajo tha se BE-ja nganjëherë duket se është e fiksuar pas momenteve dhe datave të rëndësishme, dhe tani kur dëgjojmë se ky është momenti kyç, duhet të kthehemi në tren./TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com