SPB Strugë ka paraqitur kallëzim penal kundër N.K. (53) nga fshati Veleshtë i Strugës për dyshime të bazuara se ka kryer veprën penale “dëmtim ose shkatërrim të pasurisë nën mbrojtje të përkohshme ose trashëgimisë kulturore apo rrallësive natyrore.” Kallëzim penal është paraqitur edhe kundër V.N. (62) nga Ohri për dyshime për veprën penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim,” si dhe kundër R.M. (68), N.N. (56) dhe Gj.D. (59), të gjithë nga Struga, për dyshime për veprën penale “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.”
Më 15.10.2025, si investitor dhe në kundërshtim me vendimin për kushte mbrojtëse–konservuese, i dyshuari i parë me mekanizim ndërtimor ka rrënuar një shtëpi të vjetër në një parcelë kadastrale në Strugë dhe gjatë gërmimeve ka rrënuar themelët e murit jugor të shtëpisë–muze fqinje të Vlado Maleskit, e cila nga viti 2017 është monument i mbrojtur si trashëgimi kulturore me rëndësi.
E dyshuara e dytë, si arkitekte–konservatore në Institucionin Kombëtar “Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeu Ohri,” ka vendosur vulë zyrtare dhe nënshkrim në projektin kryesor për shtëpi familjare dhe ka aprovuar mendim për përputhshmëri me projektin ideor, duke vepruar me vetëdije në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, me planin e menaxhimit me Trashëgiminë Natyrale dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit dhe me kushtet mbrojtëse–konservuese të lëshuara nga Ministria e Kulturës – Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
I dyshuari i tretë, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Strugës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe ka tejkaluar autorizimet duke nënshkruar leje ndërtimi për shtëpinë familjare të të dyshuarit të parë, në kundërshtim me aktet e Institucionit Kombëtar për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeu – Ohri dhe vendimin e Drejtorisë për Trashëgiminë Kulturore.
I dyshuari i katërt, si udhëheqës i Sektorit të Urbanizmit në Komunën e Strugës, ka përgatitur lejen e ndërtimit duke tejkaluar autorizimet zyrtare, ndërsa lejen e ka aprovuar i dyshuari i pestë, ndihmës–udhëheqës i Sektorit për Urbanizëm, Veprimtari Komunale, Komunikacion dhe Mbrojtje të Mjedisit Jetësor në Komunën e Strugës.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com