UT-ja e shënoi Ditën Botërore të Filozofisë me reflektime të thella dhe mesazhe mbi rolin e mendimit filozofik në shoqërinë moderne
Universiteti i Tetovës, përmes Fakultetit Filozofik, e shënoi sot Ditën Botërore të Filozofisë me një aktivitet solemn, ku personalitete të njohura të mendimit akademik dhe filozofik theksuan rëndësinë e kësaj disipline në zhvillimin e shoqërisë dhe në mbrojtjen e lirisë së njeriut.
Të pranishëm në ngjarje ishin studiues, profesorë, studentë dhe të ftuar nga fusha të ndryshme humaniste. Në fjalën e tij përshëndetëse, dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, theksoi se filozofia ka qenë historikisht një kritikë e fortë ndaj çdo forme dhune dhe kufizimi të lirisë. Sipas tij në çdo epokë, filozofia ka luajtur rolin e zërit që sfidon padrejtësinë dhe mbron lirinë njerëzore.
Akademiku i njohur Ferid Muhiq theksoi se filozofia është një ndër shtyllat më të lashta të dijes njerëzore dhe mbetet themeli i reflektimit racional. Po ashtu theksoi se filozofia është një mënyrë për të kuptuar botën dhe veten, një disiplinë që ka shoqëruar njerëzimin prej mijëra vitesh.
Ndërsa Prof. Dr. Metin Izeti foli për rëndësinë e ruajtjes së dimensionit filozofik të njeriut përballë rreziqeve të reduktimit teknokratik të qenies humane. Ai më tej shtoi se kur njeriu ndahet nga filozofia, ai rrezikon të humbasë identitetin e tij dhe të shndërrohet në një mjet. Filozofia e mbron dinjitetin dhe e rikthen njeriun te vetvetja.
Ngjarja u mbyll me diskutime të hapura ku studentët patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të marrin pjesë në reflektime të përbashkëta mbi rolin e filozofisë në kohët moderne.
Përmes këtyre ngjarjeve Universiteti i Tetovës e riafirmon misionin e tij për të promovuar mendimin kritik, dijen dhe vlerat universale të humanizmit.



