Dimitrieska-Koçoska: Financat publike i menaxhojmë me përgjegjësi – Ribalanci është reagim në kohë ndaj kushteve të reja ekonomike
Ribalanci i Buxhetit për vitin 2026 paraqet reagimin në kohë të Qeverisë për t’i harmonizuar projeksionet buxhetore me kushtet e reja ekonomike dhe zhvillimet reale në ekonomi deri në fund të vitit, por njëkohësisht edhe konfirmim se financat publike i menaxhojmë me përgjegjësi dhe me prioritete të qarta.
Kjo u theksua sot në një konferencë për shtyp nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë së cilës prezantoi Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026, i cili u miratua dje nga Qeveria.
“Gjatë periudhës së kaluar, kriza globale solli sfida të reja, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të energjensave dhe presioneve të mëdha mbi çmimet. Kur në muajin qershor përgatitëm ribalancin e parë, vlerësimet tona ishin se gjendja në tregjet ndërkombëtare do të stabilizohej gradualisht. Ndërkohë, për fat të keq, ndodhi e kundërta. Kriza gjeopolitike u thellua, çmimet e energjensave vazhduan të rriten, ndërsa Qeveria reagoi me masa konkrete për ta lehtësuar ndikimin negativ te qytetarët dhe ekonomia. Dëshmi se masat janë ndërmarrë në kohën e duhur dhe janë përcaktuar me kujdes është fakti se inflacioni është stabilizuar, që do të thotë se rritja e çmimeve të naftës nuk është reflektuar ndaj çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera”, theksoi ministrja.
Ajo shtoi se ulja e akcizave për karburantet dhe ulja e TVSH-së për diselin nga 18 në 10 për qind kanë një qëllim të qartë, respektivisht mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve dhe për t’i ndihmuar kompanitë që ta përballojnë më lehtë goditjen ndaj çmimeve, ku si rrjedhojë këto masa patën edhe efekt të drejtpërdrejtë në të ardhurat buxhetore. Kjo, sipas ministres, është arsyeja për ribalancin e dytë me qëllim që të harmonizohen të ardhurat dhe shpenzimet me rrjedhat aktuale ekonomike dhe të sigurohet funksionimi stabil i buxhetit deri në fund të vitit.
“Ribalanci i dytë nuk është rezultat i problemeve me likuiditetin e buxhetit. Ai është reagim ndaj kushteve të ndryshueshme ekonomike, me prioritete të pandryshuara – mbrojtja e qytetarëve, përmbushja e detyrimeve ligjore, ruajtja e aktivitetit ekonomik dhe disiplina fiskale”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Duke prezantuar ndryshimet, ajo tha se të ardhurat e përgjithshme janë në nivel prej 374.2 miliardë denarëve, që është rreth 5.3 miliardë denarë më pak se projeksionet paraprake. Gjithashtu, ministrja theksoi se ulja është kryesisht rezultat i kushteve të ndryshueshme në tregun e energjensave dhe masave që kemi ndërmarrë për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë.
“Realizimi i të ardhurave gjatë vitit tregon dinamikë pozitive. Te të ardhurat tatimore, me ribalancin është bërë korrigjim i moderuar nga 213.3 në 209.8 miliardë denarë, prërkatësisht ka rënie prej 1.6%. Pjesa më e madhe e korrigjimit ka të bëjë me akcizat, të cilat janë rishikuar nga 34.1 në 30.4 miliardë denarë. Arsyeja është ulja e akcizave për benzinën dhe diselin, masë kjo me të cilën e lehtësojmë drejtpërdrejtë ndikimin e rritjes së çmimeve të derivateve të naftës tek qytetarët dhe kompanitë. Kjo do të thotë më pak të ardhura për buxhetin, por në të njëjtën kohë përkrahje të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe ekonominë”, tha ministrja.
Me ribalancin e buxhetit te të ardhurat jotatimore dhe donacionet parashikohet rënie prej rreth 2 miliardë denarësh, ndërsa te të ardhurat tatimore tjera – tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin, TVSH-ja dhe të ardhurat nga doganat pritshmëritë mbeten stabile dhe në korniza të vlerave të planifikuara.
Ministrja theksoi se ana e shpenzimeve me ribalancin e buxhetit po trajtohet në mënyrë të përgjegjshme dhe të disiplinuar. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 420.5 miliardë denarëve, që paraqet rënie prej 5.3 miliardë denarëve krahasuar me projeksionet paraprake. Gjithashtu ka ulje në zërat për mallra dhe shërbime, si dhe për subvencione, si rezultat i shpenzimeve të disiplinuara dhe më efikase. Janë siguruar mjete shtesë për kategoritë të shtresave në nevojë të qytetarëve dhe për shërbimet shëndetësore.
“Po i ulim shpenzimet aty ku realizimi është më i ulët ose aty ku nuk bëhet fjalë për prioritete të nivelit më të lartë. Megjithatë, nuk kursejmë në atë që është më e rëndësishme.
Sigurojmë mjete financiare për kategoritë e shtresave në nevojë dhe për shërbimet shëndetësore”, deklaroi ministrja e Financave.
Sa u përket shpenzimeve kapitale, ajo theksoi se po bëhet korrigjim prej rreth 5.7 miliardë denarësh, kryesisht për shkak të shtyrjes së afateve të realizimit të disa projekteve kapitale, por kjo nuk nënkupton ndërprerjen e investimeve kapitale. Vazhdojnë investimet në fushën e mbrojtjes, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturës komunale, mjedisit jetësor, efikasitetit energjetik, arsimit, mbrojtjes së fëmijëve dhe asaj sociale, bujqësisë dhe infrastrukturës lokale. Ministrja theksoi se rëndësi të veçantë ka vazhdimi i përkrahjes financiare për komunat dhe projektet kapitale infrastrukturore në nivel lokal, si pjesë e politikës për zhvillimin e barabartë rajonal.
Siç deklaroi Dimitrieska-Koçoska në konferencën për shtyp, me ribalancin e buxhetit, projeksioni për rritjen ekonomike mbetet i pandryshuar në nivel prej 3.5%, ashtu si edhe niveli i deficitit buxhetor, i cili ruhet në nivel prej 46.3 miliardë denarë, përkatësisht 4.1% e PBB-së.