Mickoski: Thelbi është që të vlerësohemi për reformat dhe hapat tanë, e jo sipas çështjeve dhe mosmarrëveshjeve bilaterale
Pyetje: Zoti kryeministër, a ishit mjaftueshëm i drejtpërdrejtë para liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se ne realizojmë reforma dhe kërkojmë që partnerët tanë të na vlerësojnë sipas sistemit të meriteve, dhe jo sipas çështjeve bilaterale?
Përgjigje: Jemi në këtë proces mjaft gjatë, më shumë se 25 vjet, 20 vjet që nga momenti që jemi vend kandidat, dhe me të vërtetë ajo që e kemi përjetuar nuk do të doja që ta përjetonte askush tjetër. Por, është e qartë se kur një herë krijoni një përjashtim si rregull, ai bëhet rregull dhe vendet e tjera anëtare mund të referohen te ky përjashtim që më parë është vendosur, dhe ai mund të kthehet në rregull. Pra, për mua nuk ka më thelb nëse çështjet bilaterale apo mosmarrëveshjet bilaterale janë ato që vendosin nëse vendet duhet të bëhen anëtare të plota të BE-së. Për mua thelbi qëndron te realizimi, reformat, hapat që bëhen. Dhe për sa kohë kjo bazohet në sistemin e realizimit, atëherë ne si shtet do të jemi konkurrues dhe jam i bindur se ne do të jemi të parët që do të arrijnë qëllimin përfundimtar.
Pyetje: A ka ndodhur një zbutje e qëndrimeve të evropianëve?
Përgjigje: Varet në çfarë fushe. Unë jam më shumë i fokusuar te hapat që janë pjesë e agjendës zhvillimore, dmth planit zhvillimor. Hapat që mbetën në periudhën e “grace period” dhe që më parë nuk ishin realizuar për shkak të pushimit për zgjedhjet lokale, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale filluam punën dhe po japim një realizim të fuqishëm. Deri në fund të vitit pres që të realizohen të paktën 8, ndoshta edhe 10 nga 12 hapat që nuk ishin përmbushur. Mbeten 2 problematike. I pari është subvencionimi i energjisë elektrike që qeveria e ofron për qytetarët, sepse e vlerësojmë se nëse nuk ndodh kjo, faturat për energjinë elektrike do të rriteshin të paktën 35-40%. Ky hap kemi thënë se nuk mund ta realizojmë dhe nuk do ta realizojmë në këtë moment. Hapi i dytë është përshtatja e Kodit Zgjedhor. E dini se çfarë lloj “gjimnastikash” politike ndodhin në parlament dhe ky është një nga ligjet ku deputetët mund të bëjnë filibustering. Pra, të tjerat, 10 hapat e tjerë janë realitet për ne dhe mendoj se do të arrijmë t’i realizojmë deri në fund të këtij viti ose, eventualisht, brenda dy javëve të para të vitit të ardhshëm.