Sot Bashkimi Demokratik për Integrim paraqitet para jush për të adresuar publikisht gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2025 – raport i cili, për Grup-Kapitullin e parë “Fundamentals”, përmban kritikat më serioze që ka marrë Maqedonia e Veriut në vitet e fundit.

Ky klaster është thelbi i negociatave me Bashkimin Evropian. Ai përfshin demokracinë, sundimin e ligjit, administratën publike, ekonominë dhe prokurimet publike. Pa ecuri në këto fusha, nuk ka negociata, nuk ka kapituj të rinj, nuk ka përparim drejt BE-së.

Për fat të keq, raporti konfirmon se qeveria aktuale ka dështuar pothuajse në të gjitha standardet themelore evropiane, duke e futur procesin integrues në bllokadën më të thellë që ka përjetuar vendi ynë.

1. Sundimi i ligjit – Regres i rrezikshëm

Komisioni Evropian konstaton qartë:

• Nuk ka pasur asnjë përparim në pavarësinë e gjyqësorit.
• Ndikimi politik në gjyqësor është rritur.
• Ndërhyrjet në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin e Prokurorisë janë të dokumentuara.
• Rekomandimet e viteve të kaluara janë lënë pothuajse të gjitha të pazbatuara.

Ky është një mesazh tepër i rëndë për çdo vend që pretendon të hapë negociata serioze me BE-në.

2. Lufta kundër korrupsionit – Zero rezultate

Sipas BE-së:

• Korrupsioni mbetet i përhapur.
• Rastet e profilit të lartë nuk përfundojnë kurrë.
• Institucionet anti-korrupsion janë të dobëta dhe joefikase.
• Ngjarjet tragjike të vitit 2025 janë dëshmi e mosfunksionimit të thellë të shtetit.

Kjo përbën dështim total të qeverisë për të garantuar llogaridhënie dhe integritet institucional.

3. Liria e mediave dhe të drejtat themelore – Përkeqësim i dukshëm

Raporti thekson se:

• Gazetarët nuk mbrohen nga presionet.
• Liria e mediave është dobësuar.
• Transparenca e pronësisë së mediave mbetet problem serioz.
• Institucionet që mbrojnë të drejtat e qytetarëve – përfshirë Avokatin e Popullit – janë të dobësuara ose të pazgjedhura.

Kjo është alarmuese për demokracinë dhe liritë themelore.

4. Administrata publike – Bllokadë dhe politizim

Komisioni kritikon:

• Politizimin drastik të administratës.
• Kuadrin ligjor të fragmentuar.
• Ligjet e miratuara që nuk zbatohen.
• Reformat e ngecura dhe rekomandimet e paplotësuara nga viti i kaluar.

Pa një administratë profesionale dhe të depolitizuar, nuk ka reforma reale.

5. Ekonomia – Pa stabilitet, pa reforma

Raporti thekson:

• Mungesë disipline fiskale.
• Projekte kapitale të pashfrytëzuara.
• Rritje të informalitetit.
• Moszbatim të rekomandimeve të Planit të Rritjes.

Kjo e vendos ekonominë e vendit në rrezik afatgjatë.

Mesazhi kryesor i BE-së është i qartë dhe i prerë:

Maqedonia e Veriut nuk mund të hapë kapituj të tjerë pa zgjidhjen e problemeve themelore.

Mosmarrja e hapave për ndryshimet kushtetuese dhe ngecja në reformat demokratike e juridike kanë ngrirë faktikisht procesin e negociatave.

Raporti është një alarm i kuq institucional. Ai dëshmon se qeveria aktuale ka humbur drejtimin strategjik të shtetit dhe ka rrezikuar seriozisht rrugën tonë evropiane.

Ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara dhe po konsolidojnë sundimin e ligjit, Maqedonia e Veriut po ngec në vend – dhe kjo po e largon vendin tonë nga shtetet që realisht po afrohen me BE-në.

BDI kërkon:
1. Zhbllokimin e menjëhershëm të reformave në sundimin e ligjit.
Vendit i duhet drejtësi funksionale, jo drejtësi e kontrolluar politikisht.
2. Harmonizimin e menjëhershëm e buxhetit të gjyqësorit dhe Prokurorisë Publike me vlerësimet e Komisionit Evropian, duke e ngjitur financimin në nivelin e përcaktuar me ligj, 0,8% të BPV për gjyqësorin dhe 0,4% të buxhetit të vendit për prokurorinë.
3. Përforcimin e autonomisë financiare të organeve gjyqësore, që ato të mos varen nga vendimmarrje të karakterit politik.
4. Miratimin pa vonesa të ndryshimeve kushtetuese.
Pa këtë hap, negociatat mbeten të ngrira.
5. Depolitizimin e administratës dhe forcimin e institucioneve të pavarura.
6. Zbatim të plotë dhe të shpejtë të rekomandimeve të BE-së për Kapitullin e Parë.

E ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk mund të mbahet peng nga dështimet e qeverisë aktuale.

BDI mbetet e përkushtuar në mënyrë të palëkundur ndaj kursit euro-atlantik dhe ndaj zbatimit të reformave që kërkon Bashkimi Evropian.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com